Lidhje

Një dramë mbi Steve Jobs dhe kushtet e punës në kompaninë Apple

  • Carolyn Weaver

Puna e një dramaturgu amerikan po e kapërcen synimin për të krijuar një vepër argëtuese, duke u munduar të ushtrojë presion mbi firma të fuqishme si Apple për të përmirësuar kushtet e punës në fabrikat e tyre në vende si Kina. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Carolyn Weaver na njeh me dramaturgun dhe aktorin Mike Daisey, autor i dramës “Agonia dhe Ekstaza e Steve Jobsit” dhe me mesazhin që do të përcjellë autori:

Shkrimtari dhe aktori Mike Daisey shprehet se i pëlqejnë të gjitha prodhimet e kompanisë Apple, e themeluar nga Steve Jobs:

“Nuk e dija që do të më duhej një laptop aq i hollë sa që ta përdorja edhe si thikë për të prerë bukën me të”, thotë aktori gjatë interpretimit në monologun e tij që është vënë në skenë në Broadway dhe ku diskutohet si prodhohen artikujt e kompanisë Apple.

Ai thotë se ka dëgjuar të flitet për kushte të rënda pune dhe vetëvrasje në Foxconn, një ndër kompanitë furnizuese të firmës Apple. Ai ka shkuar vetë në Kinë, ku është paraqitur si biznesmen për të vizituar fabrikat e intervistuar punëtorët:

“Ka fëmijë në linjën e prodhimit, ka orar të tejzgjatur pune deri në 16 orë në ditë. Njerëzit punojnë aq shumë saqë u bie të fikët nga lodhja ose vdesin gjatë punës”.

Fabrikat që ka hapur kompania në Kinën jugore prodhojnë mall me vlerë prej disa miliona dollarësh për firmën Apple dhe marka të tjera ndërkombëtare. Mbi 400 mijë persona punojnë në këto komplekse.

Apple nuk iu përgjigj kërkesës për komente. Por në një deklaratë të saj, kompania Foxconn thotë se është e angazhuar të sigurojë standardet më të larta të sigurisë dhe shëndetit për punëtorët dhe se ka rritur rrogat këtë vit:

Baizhu Chen, një profesor biznesi në Universitetin e Kalifornisë Jugore, thotë se rrogat e kompanisë Foxconn konsiderohen të mira në Kinë.

“Kur filluan të hapin fabrika në Chengdu, njerëzit rrinin në rradhë për të kërkuar punë, pasi rrogat në krahasim me të tjerët ishin më të larta”.

Zoti Chen thotë se shumë punëdhënës nuk respektojnë ligjet e punësimit në Kinë.

Dramaturgu shton se kompania Apple është e dhënë pas perfeksionizmit të artikujve të saj, por nuk do t’ia dijë si realizohet kjo, pasi synon thjesht fitimin:

“Në një kompani të fiksuar pas hollësive më të vogla, gjërave si pamja e ekranit prej xhami e të tjera, si mund të mendohet se nuk janë në dieni të kushteve të punës?”

Monologu “Agonia dhe Ekstaza e Steve Jobsit” është përcjellë me komente shumë pozitive nga kritika dhe është bërë shkas edhe për organizim protestash.

Protestuesit kërkojnë respektimin e etikës profesionale gjatë prodhimit.

Pas një cikli artikujsh nga New York Times për firmën Apple, kjo kompani u bë anëtare e Shoqatës për Kushte të Drejta Pune, e cila cakton standardet e punësimit dhe mbikqyr kushtet e punës.

Zoti Daisey thotë se Apple është aq e fuqishme sa të vendosë standarde në Kinë:

“Njerëzit kanë respekt të madh për kompaninë Apple. Kur ky problem të fillojë të bëhet sinonim me emrin e kompanisë, do të jetë e vështirë ta luftojnë. Por po vepruan që tani mund ta ndryshojnë situatën”.

Dramaturgu Daisey e ofron veprën e tij falas për këdo që do ta vërë në skenë. Ai thotë se ka marrë kërkesa nga grupe në 11 vende, por ende s’ka kërkesa nga Kina.

XS
SM
MD
LG