Lidhje

Një film dokumentar përshkruan garën më të vështirë me karrige invalidi

  • June Soh

Një film dokumentar përshkruan garën më të vështirë me karrige invalidi

Një film dokumentar përshkruan garën më të vështirë me karrige invalidi

Amerikanët këtë vit shënojnë 20 vjetorin e Aktit të Amerikanëve me Aftësi të Kufizuara, që njihet ndryshe si ADA, një ligj i të drejtave civile, që ndalon diskriminimin bazuar tek kufizimet mendore, apo fizike.

Një aktivitet i përfshirë në ceremoninë e rastit ishte një festival filmi i kohëve të fundit, ku u shfaq një film dokumentar i quajtur “Unbeaten”, “I paepur”, historia e garës më të gjatë dhe më të vështirë me karrige invalidi.

Një garë me karrige invalidi është një sfidë e vërtetë. Por të marrësh pjesë në një garë prej 430 kilometrash, mespërmes maleve, do të ngjante thuajse e pamundur. Kjo ishte arsyeja përse donte të merrte pjesë atje 57-vjeçari Geoffrey Erickson. Ai thotë:

" Është për të qeshur. Kur dola nga spitali, njerëzit po përpiqeshin të më tregonin për ato që nuk mund të bëja dhe më vinin kufizime kudo. Ishte çmenduri e vërtetë. "

Erickson ishte i vendosur për t’i kapërcyer këto kufizime që kur ai u detyrua të lëvizte me karrike invalidi pas një aksidenti me motoçikletë, 33 vjet më parë. Ai është një nga personazhet kryesore të filmit.

Filmi “Unbeaten”, ndjek hap pas hapi për 6 ditë 31 persona me këmbë të paralizuara, me karrike invalidi, ndërsa ata konkurojnë në atë që njihet si gara më e vështirë (rrugore) në botë. Gara 430 kilometërshe mes maleve përfshin distance mes Fairbanks dhe Anchorage, në Alaskë. Ericson thotë:

" Kur po ngjitesha në kodër, ishte e dhimbshme. Përpiqesha të qëndroja shumë i fokusuar. Ishte tepër e vështirë. Më kujtohet ende dhimbja që ndjeja. Më dhimbnin shpatullat, kurrizi, krahët, dhe i gjithë trupi."

Shikuesit e ndjekin garën hap pas hapi, ndërsa konkuruesit përshkojnë rreth 88 km në ditë.

Për shumë nga pjesëmarrësit në garë, ky ishte një udhëtim për të zbuluar vetveten, ajo ishte edhe një demonstrim i vullnetit, forcës dhe vendosmërisë.

Në mes të garës, filmi e ndryshon fokusin, ndërsa producenti i ndjek garuesit elite të skuadrës amerikane të Para-olimpikeve në përpjekjet e tyre për të marrë medaljen në vitin 2008 në Pekin. Oscar Sanchez, veteran i marines amerikane, që ka shërbyer në Irak dhe në Afganistan, mori medaljen e artë në Paraolimpiket.

" Të jesh fitues i medjales së artë dhe kampion i botës të bën të caktosh një standart për vetveten, për një objektiv, të cilin beson se mund ta arrish, pavarësisht se cilat janë kufizimet që ke. Kur ke aftësi fizike të kufizuara nuk do të thotë se duhet t’i ndryshosh synimet dhe ëndërrat. Thjesht, gjen një mjet të ndryshëm për arritjen e këtyre synimeve." - thotë ai

Producenti dhe drejtori i filmit Steven C. Barber thotë se u desh një punë disa vjeçare për ta përfunduar dokumentarin:

" Ne mendojmë që dikush me aftësi të kufizuara nuk ka mundësi të arrijë diçka, por është në fakt e kundërta. Të përshkosh 88,5 km në ditë me karrike invalidi është me të vërtetë për t’u habitur, edhe pse pjesëmarrësit në garë janë elita e botës së personave me aftësi të kufizuara. Por në fakt këta njerëz nuk kanë aftësi të kufizuara, përkundrazi, ata kanë aftësi. Unë mësova me këtë film se një person i ulur në karrigen e invalidit nuk është e thënë të jetë i paaftë fizikisht."

Regjisori Barber thotë se dokumentari ‘Unbeaten” u krijua si respekt për heroizimin e njerëzve dhe është një mesazh shprese për invalidët e shumtë në të gjithë botën. Ai thotë se personat me këmbë të paralizuara në karrigen e invalidit i tregojnë botës se çfarë mund të arrihet në saje të vullnetit dhe se “invalid” dhe “vështirësi”, janë veçse fjalë.

XS
SM
MD
LG