Lidhje

Një fund i përkryer i karrierës së anijes së hapësirës Discovery

  • Suzana Presto

Një fund i përkryer i karrierës së anijes së hapësirës Discovery

Një fund i përkryer i karrierës së anijes së hapësirës Discovery

Dje anija amerikane e hapësirës Diskavëri dhe ekuipazhi i saj përfunduan misionin e tyre 13 ditor, një udhëtim prej më shumë se 8 milion kilometrash, duke u kthyer në Qendrën Kenedy të NASA-s në Florida. Ndërkohë që nisja e anijes ishte shtyrë disa muaj, kthimi i saj në tokë ishte një ngjarje e përkryer.

Anija Diskavëri përfundoi karrierën e saj 27 vjeçare dje me një ulje pa probleme nën qiellin e kthjellët.

“…. Ky është fundi i një udhëtimit historik. Kjo është përshendejta e fundit për anijen që shumë herë ka udhëhequr operacionet tona.”

Pas uljes, zyrtarët e NASA-s, përfshirë administratorin Çarls Bollden dhe drejtorin e Qendrës së Hapësirës Kennedy Bob Këbena, falenderuan ekipin gjashtë anëtarësh të anijes Diskavëri.

“Ky është fluturimi i 39-të i anijes Diskavëri. Anija Diskavëri ka një vend shumë të vaçantë për mua dhe Bob Këbenan këtu sepse ne kemi patur mundësinë të fluturojmë me të dy herë, kështu që ky është një moment i ëmbël dhe i hidhur për ne.”

Diskavëri është anija me shërbimin më të gjatë të flotës së anijeve amerikane të hapësirës. Anija është në të njejtën gjendje pas uljes së fundit ashtu siç ishte në nisjen e parë në hapësirë, tha komandanti i misionit Stiv Lindsi.

“Kjo anije ka 26 ose 27 vjet në shërbim, ka kryer fluturime gjatë gjithë kësaj kohe dhe është kthyer nga misioni i fundit me sukses. Nuk kam parë një aeroplan të jetë i aftë ta bëj një gjë të tillë.”

Këtë vit NASA po heq nga përdorimi flotën e anijeve të hapësirës duke shënuar fundin e një epoke të rëndësishme të fluturimeve në hapësirë.

Është një moment i gëzuar por edhe i trishtuar për ne. Me kalimin e kohës unë ndjehem gjithnjë e më i mërzitur që ky ishte fluturimi i fundit dhe e di që edhe të tjerët të cilët kanë qënë pjesë e këtij programi ndjehen të mërzitur gjithashtu.”

Në misionin e saj të fundit, Diskavëri dërgoi një robot në formën e njeriut, Robonaut 2, në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës. Ekuipazhi i stacionit të hapësirës dhe ekuipazhi i anijes riorganizuan hapësirën e laboratorit për të mundësuar organizimin e më shumë studimeve.

Në konferencën për shtyp pas uljes së anijes Disakavëri, zëvendës administratori i NASA-s Bill Gerstenmajër bëri komente për punën e ekuipazhit.

"Mendoj se puna e tyre do të vërehet në të ardhmen. Gjatë dy ditëve shtesë në orbitë, ekuipazhi i anijes ka bërë rirorganizimin e stacionit të hapësirës. Ata kanë bërë shumë punë në hapësirë dhe kjo është bërë e mundur sepse anija ka punuar shumë mirë.”

Anija Diskavëri do të vendoset tani në një muze. Ajo ka udhëtuar 238 milion kilometra gjatë gjithë karrierës së saj në hapësirë.

XS
SM
MD
LG