Lidhje

Një gjykatëse federale bllokon dispozitat e diskutueshme në ligjin e Arizonës për imigracionin


Gjykatësja Susan Bolton lëshoi një vendim të përkohëshëm gjyqësor kundër dispozitave të ligjit që u kërkon forcave të rendit të kontrollojnë statusin e imigrantit për njerëz që dyshojnë se ndodhen ilegalisht në Amerikë, kur ata i arrestojnë apo ndalojnë këta njerëz nderkohë që zbatojnë ligjet e tjera.

Gjykatësja gjithashtu shtyu një dispozitë tjetër që do tu kishte kërkuar imigrantëve të mbanin me vete gjithnë dokumentet dhe një tjetër që ndalon imigrantët e paligjëshëm që të kërkojnë punë në vende publike. Ajo bllokoi një dispozitë të katërt që do të kishte lejuar arrestimet pa urdhërin e prokurorisë për të dyshuarit imigrantë ilegalë. Gjykatësja tha se vendimi i përkohëshëm ligjor do të mundësojë që çështjet e debatuara të përcaktohen në gjykatë.

Guvernatorja e Arizonës Jan Brewer tha se do të konsultohej me avokatët për një apelim të mundëshëm.

Ne do të vazhdojmë të kërkojmë që të degjohemi për këtë çështje dhe që populli i Arizonët të jetë i mbrojtur. Mendoj se është e rendësishme që tu kujtojmë të gjithëve se sot, qeveria federale u çlirua nga gjykatat që të mos e bëjnë detyrën e tyre.

Guvernatorja Brewer e nënshkroi ligjin në muajin prill duke thënë se masa ishte reagim ndaj mungesës së zbatimit të ligjit amerikan të imigracionit nga zyrtarët federalë. Ajo tha se mosveprimi i qeverisë amerikane ka çuar në rritjen e krimeve dhe shtuar koston për shtetin për burgosjen e kriminelëve, kujdesin shëndetësor dhe shkollimin.

Presidenti Barak Obama e ka quajtur ligjin “ të gabuar”. Kundërshtarë të tjerë patën thënë se ligji do të çonte në profilizimin racial nga ana e policisë.

Gjykatësja Bolton nuk preku një dispozitë të ligjit që ndalon marrjen e pa autorizuar në punë të imigrantëve ilegalë dhe një tjetër që bllokon qytetet që të bëhen strehë në kundërshtim me ligjin federal të imigracionit.

Vendimi i saj erdhi si rezultat i sfidës ligjore nga Departamenti amerikan i Drejtësisë, që thotë se imigracioni është një përgjegjësi federale dhe se ligji i Arizonës është bërë një çështje për marrëdhëniet me vendet e huaja si Meksika.

Edhe grupet private kanë ngritur çështje ligjore me synimin për bllokimin e ligjit, përfshi Unionin Amerikan të Lirive Civile, i cili thotë se ligji diskriminon në mënyrë të padrejtë kundër qytetarëve hispanikë. Por gjykatësja nuk e trajtoi këtë çështje por tha se kërkesa që policia të kontrollojë statusin e imigrantit për çdo person që arrestojnë do të vinte një barrë të padrejtë ndaj imigrantëve të ligjëshëm.

Grupi i të drejtave të imigrantëve Rrjeti i Veprimit Kufitar e duartrokiti vendimin për heqjen e atyre që grupi i quan, dispozitat më diskriminuese të ligjit.

Shumica e imigrantëve ilegal në Shtetet e Bashkuara vijnë nga Meksika dhe Arizona si shtet kufitar është quajtur si porta e hyrjes. Shumë imigrantë ilegal përfshi Daniel Rodriguez vijnë në amerikë qysh në moshë të mitur.

Nuk kam bërë ndonjë gabim moral duke qënë gjashtë vjeç e gjysëm dhe ardhur këtu me familjen time.

Disa zyrtarë të organeve të rendit thonë se shqetësohen se duke zbatuar ligjin për imigracionin, reduktojnë kohën për të ruajtur rendin lokal. Por sherifi i kontesë Maricopa, Joe Arpaio, thotë se ligjet federale nuk mund të mospërfillen.

Është krim të jesh këtu në rrugë ilegale dhe të gjithë duhet ta zbatojnë ligjin brenda Shteteve të Bashkuara, përfshi Arizonën.

Dispozitat e tjera të paprekura të ligjit të Arizonës futen sot në efekt dhe çështjet ligjore kundër do të vazhdojnë nëpër gjykata. Guvernatorja Jan Brewer e quajti vendimin e së merkurës, fillimin e një procesi.

XS
SM
MD
LG