Lidhje

Një kamp veror anti-terrorist i llojit të veçantë


Në Britani është ngritur, ai që po quhet kampi i parë në botë i organizuar nga Perëndimi për fëmijët myslimanë kundër terrorit. Atje marrin pjesë mijëra vetë nga e gjithë Evropa dhe Amerika Veriore. Al Hidajah 2010, siç quhet kampi, drejtohet nga studjuesi mysliman nga Pakistani, Muhamed ul-Qadri, i cili jep mësime teorike dhe praktike lidhur me mënyrat e dallimit dhe kundërvënies ndaj ekstremizimit. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgewell njofton nga Londra:

Në vështrim të parë, ngjan me kampe të tjera verore; të rinjtë vijnë me valixhe të mbushura plot, njihen me ambjentin e ri, bisedojnë fillimisht me ndrojtje, me synimin për të zënë miq të rinj.
Por al-Hidayah 2010, është një kamp veror i një lloji të veçantë.

Rreth 1 mijë e 300 të rinj nga Britania, Evropa dhe madje edhe Amerika Veriore, janë mbledhur në Universitetin Warwick në qendër të Anglisë, për të mësuar se si luftohet ekstremizmi dhe terrorizmi.


Pas ceremonisë së hapjes në sallën e madhe të koncerteve, duke recituar vargje nga Kurani, fëmijët ndjekin fjalimin që mban një person, të cilin të gjithë ata kanë ardhur për ta parë: studjuesi mysliman dhe organizatori i aktiviteteve, Muhamad Tahir ul-Qadri.

"Në këtë kamp, i pari kamp antiterrorist në botën perëndimore, ne jemi duke luftuar terrorizmin në frontin ideologjik, filozofik, teologjik dhe akademik. Ne përpiqemi të edukojmë të rinjtë. Përpiqemi të japim një vision të vërtetë dhe të moderuar të Islamit".

Për Muhamad ul-Qadrin u fol shumë në median britanike këtë vit, kur ai publikoi një “fatwa”, dokument 600 faqesh kundër terrorizmit. Ishte një përpjekje për t’iu kundërvënë pikëpamjeve të klerikëve dhe predikuesve radikalë myslimanë, të cilët fajësohen për nxitjen e të ashtuquajturve terroristë “të përgatitur brenda vendit” në Britani. Ky term i referohet popullsisë së një vendi që radikalizohet dhe identifikohet me grupe të huaja terroriste.


Muajin e kaluar, Londra shënoi 5 vjetorin e sulmeve me bombë të 7 korrikut. Më 7 korrik 2005, 4 myslimanë britanikë kryen sulme vetëvrasëse me bombë ndaj sistemit të transportit të qytetit. Vetëm disa ditë më pas, tre myslimanë britanikë u shpallën fajtorë për komplotimin e sulmeve ndaj avionëve transoqeanikë, duke përdorur bomba të lëngëta.

Ul Qadri thotë se integrimi në shoqëri është tepër i rëndësishëm për ndalimin e terroristëve të përgatitur brenda vendit dhe ai u tha të pranishmëve se duhet t’i pranojnë përfitimet e jetës në Perëndim.

"Të gjitha vendet perëndimore, Britania, Europa, Amerika Veriore, kudo që ju jetoni në këto vende, përderisa gëzoni të gjitha të drejtat dhe liritë sipas kushtetutës së këtyre vendeve, ashtu sikurse edhe komunitete të tjera jo-myslimane, e them pa asnjë lloj hezitimi, se ju keni të drejta shumë më tepër se popullsia që jeton në vendet myslimane dhe arabe".

Të pranishmit mbajnë shënime duke dëgjuar fjalimin, që është leksioni i pare gjatë këtij aktiviteti tre-ditor. Më pas ka kohë të mjaftueshme për ta debatuar çështjen në biseda të lira. Të pranishmit mendojnë se koha e shpenzuar dhe distanca që kanë bërë për të ardhur këtu, ja vlejnë.
Rreth 80 për qind prej nesh kemi ardhur këtu nga Danimarka. Më pëlqyen shumë çështjet që diskutoi këtu Dr.Muhamed ul-Qadri, sidomos në aspektin e ç’radikalizimit të të rinjve, thotë një pjesëmarrës.

Jashtë sallës, organizatorët tregojnë armën e tyre më të fundit në luftën kundër ekstremizmit, një bibliotekë e lëvizshme me libra dhe DVD me temën e terrorizmit dhe si duhet trajtuar ai. Biblioteka do të çohet nëpër komunitetet myslimane në mbarë Britaninë dhe më pas edhe në shumë vende të tjera.
Të pranishmit në këtë aktivitet mund të përfaqësojnë vetëm një pjesë të vogël të popullsisë myslimane në Britani dhe nga vende të tjera. Por kampe të tipit Al-Hidajah janë në plan të organizohen si këtu në Britani, edhe në vende të tjera evropiane, me shpresën që të pranishmit të mësojnë se si ta dallojnë dhe t’i kundërvihen ekstremizmit dhe ta përhapin mesazhin kundër terrorizmit mes komuniteteve në vendet e tyre.

XS
SM
MD
LG