Lidhje

Një komunitet fermer në Izrael përqafon metodat e prodhimit organik


Një komunitet fermer në Izrael përqafon metodat e prodhimit organik
Një komunitet fermer në Izrael përqafon metodat e prodhimit organik

Në mjedisin e ashpër të shkretëtirës Negev në Izrael, një grup ambjentalistësh kanë krijuar një kantinë vere që e reklamojnë si punishtja e verës që gjendet në pikën më jugore të hemisferës veriore. Vreshta dhe kantina ndodhen në një ndër kooperativat tradicionale izraelite, kibuci Neot Smadar, ku pjesëtarët janë të përkushtuar ndaj praktikave ekologjike të kultivimit.

Që në lindje të diellit, fermerët në Neot Smadar përgatiten për ditën e gjatë të punës. Kibuci i tyre ndodhet në një brez klimatik me kushte ekstreme. Këtu temperatura arrin deri në 40 gradë celcius dhe në kohë vere, i nxehti është i pamëshirshëm. Por në periudhat e ftohta, temperaturat bien ndjeshëm. Kjo klimë si duket është ideale për vreshtat.

Fermerët prodhojnë musht nga rrushi i bardhë dhe e shesin në dyqanet e prodhimeve organike në Izrael. Rrushi moskat përdoret për të prodhuar verë, që furnizon në masën dërrmuese tregun vendas, por 10 mijë shishe në vit dërgohen për eksport.

Përveç vreshtave, në këtë kibuc rriten edhe mollë dhe kajsi që thahen e shiten në Evropë e Kanada.

Ideja e bujqësisë organike është pjesë e filozofisë së kibucit Neot Smadar. Pjesëtarët e kësaj kooperative u zhvendosën nga Jeruzalemi 22 vjet më parë me idenë për të studiuar më mirë lidhjet mes njeriut dhe natyrës. Anat Shaul është përgjegjëse për turizmin dhe marketingun:

“Çdo gjë që bëjmë këtu shërben për të studiuar bashkëpunimin mes nesh dhe për të analizuar këto marrëdhënie”.

Por në një mjedis të tillë të ashpër shkretinor, idetë ambjentaliste vihen në provë përditë. Dheu është me përmbajtje të lartë kripe dhe burimet ujore janë tepër të pakta. Kibuci është plotësisht i varur nga kompania kombëtare izraelite e furnizimit me ujë, Mekorot.

Kooperativat e tipit kibuc janë një karakteristikë e veçantë e Izraelit dhe historisë së tij. Pjesa më e madhe e tyre janë tashmë private, pra me kalimin e viteve ka pasur një zhvendosje nga tradita socialiste ku u bazuan këto kooperativa fillimisht. Por Neot Smadar mbetet një kibuc i traditës së hershme, i paprivatizuar. Të ardhurat nga shitja e prodhimeve bujqësore e blegtorale shpërndahen mes anëtarëve. Sot ky kibuc ka 97 anëtarë dhe nga 30-50 vullnetarë që vijnë nga Izraeli dhe e gjithë bota.

Yunsun Hong nga Korea e Jugut erdhi vullnetar gjatë verës për të punuar në pushishten e djathit.

“Do të doja të krijoja një komunitet bujqësor në Kore, të ngjashëm me këtë kibuc, prandaj kam ardhur për eksperiencë”.

Përveç praktikave bujqësore dhe blegtorale, dedikimi i anëtarëve të kibucit ndaj mjedisit reflektohet edhe në materialet e ndërtimit dhe arkitekturën e ndërtesave. Qendra e Artit dhe Zejeve, një strukturë që deshi vite për t’u ndërtuar, ofron kurse në tezgjah, percelan, punim druri e procese të tjera artizanale. Ndërtesa ka një sistem natyror freskimi, bazuar në një teknikë të lashtë që përdoret në të gjithë Lindjen e Mesme. Një pompë shërben për të ngjitur ujin deri në një depozitë në majë të ndërtesës, ku ftohet nga një ventilator. Më pas uji derdhet nëpër një kullë në anë të ndërtesës, duke krijuar një fllad ajri të freskët për të ulur temperaturën e mjedisit. Muret e ndërtesës janë prej balte e kashte, si materiale me efektivitet të lartë termo-izolimi. Të gjitha ndërtesat e reja në kibuc kanë kulla të ngjashme freskimi për të mos përdorur kondicionerët.

Kjo përvojë mund të frymëzojë idealistë të rinj që duan të përqafojnë këtë mënyrë jetese në shërbim të mjedisit dhe jetës në komunitet.

XS
SM
MD
LG