Lidhje

Një mision imagjinar në planetin Mars. Do të zgjatë 1 vit e gjysmë


Një mision imagjinar në planetin Mars. Do të zgjatë 1 vit e gjysmë
Një mision imagjinar në planetin Mars. Do të zgjatë 1 vit e gjysmë

Gjashtë astronautë do të fillojnë një eksperiment interesant – ata do të provojnë një udhëtim imagjinar për në planetin Mars por pa u larguar fare nga Toka. Tre astronautë rusë do të marrin pjesë në eksperiment së bashku me tre kolegë nga vende të tjera. Të gjithë do të qendrojnë të mbyllur për një vit e gjysmë në këtë mision imagjinar drejt planetit të kuq. Misioni quhet Mars-500.

Tre rusë, një kolumbian me origjinë italiane, një francez dhe një kinez po bëjnë përgatitjet e fundit para se të futen në një anije imagjinare ku do të kalojnë 520 ditë.

Misioni Mars-500 në Institutin e Problemeve Biomjeksore të Moskës, do të testojë efektet psikologjike dhe fizike që shkakton izolimi i gjatë te njerëzit.

Komandanti i ekipit, inxhinjeri Alexei Sytev, shikon sipërfaqen prej tre metrash katrore që do të jetë hapësira e tij personale.

"Ky telefon do të punojë vetëm 11 ditë kur të jemi afër Tokës, por më vonë nuk do të funksiojë më."

Sytev sapo është martuar. Ai thotë se largimi nga gruaja është një prej vështirësi për të cilat po përgatitet.

"Mendoj se gjëja më e vështirë do të jetë ndarja nga njerëzit me të cilët jam mësuar dhe braktisja e disa zakoneve të jetës. I gjithë aktiviteti ynë do të përqendrohet në disa objektiva. Pastaj… nuk do të shikoj lindjen dhe perëndimin e diellit, nuk do të shikoj shi për 18 muaj. Do të jetë e vështirë."

Secili astronaut do të paguhet 100 mijë dollarë. Ata do të kenë secili nga dy ditë pushim në javë. Do të bëjnë më shumë se 100 eksperimente shkencore dhe të dhënat e tyre psikologjike dhe fizike do të regjistrohen gjatë gjithë misionit.

Pas 250 ditësh, tre nga astronautët do të simulojnë një zbritje në planetin e kuq. Tre të tjerët do t’i presin në anijen imagjinare për një muaj. Çdo komunikim me Tokën do të bëhet me e-mail dhe do të ketë një vonesë prej 40 minutash, njësoj si në një mision real në Mars.

Alexander Suvorov është mjek. Ai dhe shkencëtarë të tjerë do të bëjnë monitorimin e astronautëve.

"Ky eksperiment është unik sepse gjashtë njerëz do të qendrojnë të izoluar për një periudhë të gjatë dhe do të punojnë në mënyrë të pavarur. Ata do t’i marrin vendimet vetë dhe do pastaj do t’i raportojnë Tokës. Toka pastaj do t’u thotë nëse kanë vepruar drejt apo jo."

Ai thotë se eksperimenti do të hapë rrugën për një ekspeditë reale drejt Marsit gjatë këtij shekulli.

"Ne do të përpiqemi të përcaktojmë se sa ushqim dhe produkte të tjera do të duhen, nëse një ekip ndërkombëtar është më mirë, pra njerëz nga kultura të ndryshme, a mund të gjejnë ata gjuhën e përbashkët dhe t’i kryeejnë detyrat si duhet?"

Mars-500 është i treti mision që simulon një fluturim ndërplanetar. Simulimet e mëparshëm kanë zgjatur për një kohë më të shkurtër. Eksperimenti i tanishëm planifikohet të mbarojë në nëntor 2011.

XS
SM
MD
LG