Lidhje

Një njësi e veçantë e CIA-s merret me zbulimin e gjendjes shëndetësore të udhëheqësve të huaj

  • Gary Thomas

Një njësi e veçantë e CIA-s merret me zbulimin e gjendjes shëndetësore të udhëheqësve të huaj

Një njësi e veçantë e CIA-s merret me zbulimin e gjendjes shëndetësore të udhëheqësve të huaj

Qoftë në sisteme demokratike apo diktatoriale, shëndeti i udhëheqësit të vendit është ndoshta sekreti i ruajtur me më tepër kujdes. Prandaj kur ata mblidhen për një aktivitet të rëndësishëm, si ai i takimit të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, agjencitë e zbulimit kontrollojnë me kujdes për sinjale të gjendjes shëndetësore të presidentëve apo kryeministrave pjesëmarrës.

Një kollë e papritur apo një rritje temperature e një presidenti, kryeministri, diktatori apo mbreti mund të shkaktojë lëvizje marramendëse në tregjet financiare, mund të nxisë fillimin e një revolucioni, mund të krijojë një krizë trashëgimie ose mund të lëkundë rezultatet e zgjedhjeve. Rose McDermott e Universitetit Brown, e cila ka kryer mjaft studime dhe ka shkruar gjerësisht për teknikat e zbulimit mjekësor, thotë se një vend mund të gëzojë epërsi politike dhe diplomatike nëse zbulon të vërtetën mbi gjendjen fizike të një udhëheqësi të huaj me probleme shëndetësore.

“Mund të jetë tejet e rëndësishme pasi mund të luhasë qëndrueshmërinë e qeverive, në mënyrë të veçantë për sa i përket regjimeve autoritare apo totalitare, ku ata të cilët kanë fuqi vendim-marrëse janë vërtet të pakët. Kur zbulohet se dikush është sëmurë, cila është prognoza e tyre dhe cila është diagnoza e tyre, jepet kështu mundësia për të menduar se cili kandidat për pasardhës duhet mbështetur.”

Në brendësi të agjencisë amerikane të zbulimit (CIA), ekziston një njësi që merret me zbulimin e kushteve të vërteta shëndetësore të udhëqësve botërorë. Njësia e Vlerësimit Mjekësor dhe Psikologjik ose MPAC punëson ose konsulton mjekë, sociologë, shkencëtar të politikës dhe antropologë të kulturës për të këqyrur gjendjen fizike të njerëzve në pushtet.

Zbulimi me saktësi i kushteve mjekësore është diçka shumë e vështirë. Dr. Jerrold Post, i cili në vitet ’70 krijoi njësinë e CIA-s për kryerjen e analizave psikologjike të udhëheqësve të huaj, thotë se liderët fshehin të vërtetën mbi gjendjen e tyre shëndetësore për të mos u dukur të dobët.

“Një nga gjërat më të rëndësishme është aftësia e fshehjes të së vërtetës. Ne të gjithë duam një udhëheqës që është i mençur, i ditur, dhe i fuqishëm. Imazhi publik i një kryetari i cili duket i sëmurë mund t’a bëjë atë më pak tërheqës si udhëheqës. Njerëzit e pushtetshëm e kuptojnë këtë në mënyrë intuititve. Prandaj ne historikisht kemi pasur fshehje të mëdha të së vërtetës dhe vazhdojmë të kemi edhe sot.”

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Franklin Delano Roosevelt jo vetëm që ishte i sëmurë me poliomielit, por ai gjithashtu, në fillimin e mandatit të tij të katër në vitin 1944, pati probleme në zemër të cilat shkaktuan edhe vdekjen e tij një vit më pas. Presidenti Grover Cleveland iu nënshtrua një operacioni sekret për shkak të një tumori kanceroz në grykë, brenda një jahti në vitin 1893. Presidenti Woodrow Wilson u mbajt në izolim pas një goditjeje cerebrale në vitin 1919. Gjëndja e dobët shëndetësore e udhëheqësve botërorë si shahu i Iranit dhe presidenti i Filipineve Ferdinand Marcos janë shembuj më të fundit të sekreteve mjekësore.

Dr. Jonathan Clemente, një mjek i cili po shkruan një libër mbi përgjimin mjekësor, thotë se sot mund të mësohet shumë edhe vetëm duke parë me kujdes videot ose fotografitë, sidomos ato me shikueshmëri të cilësisë së lartë.

“Ata shohin nëse ka ndonjë shenjë të jashtme të ndonjë dobësie fizike apo të ndonjë sëmundjeje. Më pas ata shohin videot për të vështruar se si personat paraqiten. A kanë ndonjë shenjë që sinjalizon dobësi apo vështirësi për të qëndruar? A kanë ndonjë vështirësi në të ecur? A përdorin një krah më shumë se një tjetër? Ose ata vështrojnë simetrinë e fytyrës. A ka ndonjë shenjë të ndonjë gotitjeje cerebrale të mëparshme?”

Por nëse një udhëheqës mbahet larg nga sytë e publikut, atëherë agjencitë e zbulimit duhet të bazojnë punën e tyre tek burimet njerëzore të informacionit. Fred Burton, zëvendës president i zbulimit në firmën private për konsultime strategjike Stratfor, thotë se mbledhja me anë të informatorëve e të dhënave mjekësore mbi liderëve botërorë nuk është më pak e vështirë se zbulimi i vendndodhjes së terroristëve të Al-Kaidës apo se përcaktimi i gjendjes së programit bërthamor të Iranit.

“Njerëzit, bashkëpunimi i të cilëve mund të përdoret, mund të jenë drejtues spitalesh, infermierë, ndihmës mjekë, transportues të gjakut apo të lëngjeve trupore ose mund të punojnë në laboratorë. Mund të jetë kushdo që mund të bjerë në kontakt me të dhënat mjekësore nëpër spitale apo në mjedise të ngjashme.”

Burton thotë se këta informatorë mbledhin mbeturinat mjekësore, të cilat mund të japin të dhëna të rëndësishme mbi gjendjen shëndetësore të një personi.

“Asnjë fashë e hedhur apo diçka si shiringat nuk duhet të anashkalohet pasi prej tyre mund të nxirret informacioni gjenetik i ADN-së si dhe mund të zbulohet grupi i gjakut duke lejuar kështu kryerjen e analizave që mund të çojnë në përcaktimin e problemeve shëndetësore që një person mund të ketë. Pra, edhe pse nuk është ajo çka mund të mendohet, këto janë proceset që punonjësit e shërbimeve të zbulimit duhet të kryejnë.”

Analistët thonë se këto procese janë më pak të vështira nëse udhëheqësve u duhet të shkojnë jashtë shteteve të tyre për trajtime mjekësore, dhe kjo ndodh shpesh. Dr. Clemente thotë se ka patur raste kur agjencitë e zbulimit kanë kërkuar të marrin në mënyrë sekrete lëngje trupore për t’i analizuar.

“Ka edhe histori të pavërtetuara, që unë mendoj se kanë disa të vërteta brenda tyre, sipas të cilave ka ndodhur që ata të kenë arritur të zotërojnë në mënyrë të fshehtë lëngje trupore. Unë nuk kam arritur të gjej ndonjë informacion zyrtar të parezervuar mbi këtë, por disa njerëz të mirëinformuar më kanë treguar se të paktën është tentatuar të bëhet një gjë e tillë.”

Dr. Clemente përmend se mjekët janë të mësuar, që kur përcaktojnë diagnozën e të sëmurëve terminalë, të mos tregojnë se sa kohë u mbetet për të jetuar. Ai thotë se edhe analistët e zbulimit mjekësor të CIA-s nuk bëjnë kurrë një prognozë të plotë të pritshmërisë jetësore.

“Në mënyrë të ngjashme, analistët e Njësisë për Vlerësimin Mjekësor dhe Psikologjik mundohen të shmangin përcaktimin e prognozës në atë mënyrë, si për shembull ‘Fidel Kastro do të vdesë brenda gjashtë muajve.’ Ajo që ata mundohen të bëjnë është mbledhja e fakteve. Dhe ata thonë që dikush në këtë gjendje do të ketë këtë lloj ecurie shëndetësore.”

Por edhe në këto kushte, përcaktimi i gjendjes shëndetësore në distancë mund të jetë tërësisht i gabuar. Në vitin 2006, drejtori i atëhershëm i Shërbimit Kombëtar të Zbulimit John Negroponte i tha gazetës Washington Post se udhëheqësi kuban Fidel Kastro ishte në prag të vdekjes dhe i kishin ngelur vetëm disa muaj për të jetuar. Pesë vjet pas atij pohimi, zoti Kastro është ende gjallë.

XS
SM
MD
LG