Lidhje

Një organizatë ndihmon familjet në nevojë për ditën e falenderimeve

  • Selah Hennessy

Një organizatë ndihmon familjet në nevojë për ditën e falenderimeve

Një organizatë ndihmon familjet në nevojë për ditën e falenderimeve

Dita e falenderimeve – që festohet të enjten e fundit të nëntorit – është një datë e rëndësishme në kalendarin e festave të Shteteve të Bashkuara por për ata me të ardhura të pakta, një darkë tradicionale mund të jetë diçka e vështirë për t’u arritur. Në Denver të Kolorados, organizata bamirëse Vullnetarët e Amerikës po grumbullon ushqime për t’ia dhuruar familjeve që janë në nevojë.

Anëtari i organizatës “Vullnetarët e Amerikës” Rodney Kaningam po shkarkon kuti me ushqime për Ditën e Falenderimeve për familjet me të ardhura të pakta. Edhe ai vetë do të marrë një kuti për të ushqyer katër fëmijët dhe nipat dhe mbesat.

“Kjo kuti për festën është shumë e rëndësishme sepse unë nuk marr tollona për ushqime dhe kjo është e vetmja zgjidhje për të marrë një gjel deti dhe ushqimet e tjera”.

Kaningam dhe vullnetarë të tjerë po i shpërndajnë mallrat ushqimore në 1500 shporta për t’i shpërndarë në ditën e falenderimeve. Ato do të mbushen me çdo gjë që duhet për drekën tradicionale të festës. Këtë vit, thotë Kaningam ka pasur më shumë kërkesa se kurrë.

“Një nga arsyet që kjo nismë është e rëndësishme është se ekonomia është në gjendje të keqe dhe shumë njerëz kanë nevojë për më shumë ushqime. Nuk kanë ushqime fare”.

Xhim Uajt, është drejtor i marrëdhënieve me komunitetin në këtë organizatë. Ai thotë se banorët lokalë janë ata që dhurojnë ushqimet.

“Këta individë kanë dhuruar mbi 148 tonë ushqime por duhen shumë artikuj për të përgatitur 1500 shporta që ka çdo gjë që duhet për darkën, përfshirë gjelin e detit”.

Dita e falenderimeve, tha ai, nuk është vetëm për ushqimin.

“Në çfarëdo situate të jesh, kemi plot gjëra për të cilat jemi mirënjohës. Nuk ka rast më të mirë për të shprehur mirënjohje sesa të ndihmosh dikë që ti e di që është në vështirësi në këto momente”.

Për Kaningamin, ndihma që u jep njerëzve për Ditën e Falenderimeve, është pjesa më e preferuar e punës së tij.

“Ata janë shumë të lumtur dhe më bën të ndihmem mirë kur shikoj buzëqeshjet në fytyrat e tyre. Duket sikur e sheh që ngopen dhe ndjehen të kënaqur”.

Dhe kjo, thotë ai, është forca motivuese që e bën të ofrojë ndihmën e tij.

XS
SM
MD
LG