Lidhje

Një punishte vere në Virxhinia konkurron me sukses në treg


Një punishte vere në Virxhinia konkurron me sukses në treg
Një punishte vere në Virxhinia konkurron me sukses në treg

Vera prodhohet në të 50 shtetet e Amerikës, kryesisht në Kaliforni, Oregon dhe Uashington. Por, në dekadën e fundit, shteti i Virxhinias në bregdetin lindor të vendit ka filluar të dallohet në këtë aspekt. Virxhinia ka tokë bujqësore të pasur, ka shumë diell dhe shi në muajt e verës, prandaj ekspertët thonë se ky është një shtet me perspektivë përsa i përket prodhimit të verërave. Do t’ju njohim tani me një punishte vere, pronari i së cilës ka vendosur të shtojë prodhimin pasi mendon se vera e tij do të ketë sukses.

Sebastien Marquet është mjeshtër në këtë punishte të quajtur Dukeni në Purcellville të Virxhinias. Për francezin Sebastien, kjo vreshtë është realizimi i një ëndrre të tij të fëmijërisë.

"E kam studiuar vinikulturën kur isha trembëdhjetë vjeç e gjysmë në Burgundy. Një ditë mësuesi më pyeti se me çfarë doja të merresha në të ardhmen dhe unë i thashë se dëshiroja të bëja verë në Amerikë.”

Pasi u mor me prodhim vere në Burgundy, Sebastien krijoi vreshtën e parë në Martinikë të Karaibeve. Pastaj erdhi në Amerikë dhe filloi të prodhojë verë në Sonoma të Kalifornisë. Por ardhja në Virxhinia i dha mundësinë për të krijuar verëra të reja në një rajon ku kjo industri është në zhvillim e sipër.

"Duhet të plotësosh shumë kushte për të bërë verë të mirë. Duhet tokë e mirë, me diell, dhe pasioni i njerëzve. Dhe në Virginia unë mendoj se këto kushte plotësohen. Njerëzit e kanë pasionin e verës."

Tridhjetë vjet më parë, Virxhinia ka patur vetëm gjashtë punishte vere. Sot ka më shumë se 200 dhe renditet e gjashta pas Kalifornisë, Uashingtonit, Oregonit, Nju Jorkut dhe Teksasit. Lobisti Majkëll Kaiser i firmës Wine America thotë se rëndësia e Virxhinias do të vazhdojë të rritet.

"Unë mendoj se Virxhinia do t’ia kalojë Teksasit. Nuk do t’i afrohet dot Nju Jorkut, sepse ai ka 200 punishte më shumë. Por mendoj se Virxhinia do të jetë e pesta në Amerikë për prodhimin e verës. "

Kur Sebastien erdhi këtu katër vjet më parë, punishtja, e cila ende është pa fitim, prodhonte1500 arka verë në vit. Sot ajo prodhon rreth 3500. Synimi është që, pas katër vjetësh të prodhojë 7 deri në 8000 arka.

Punishtet e verës në Kaliforni shpesh prodhojnë dhjetë herë më shumë se aq. Por pronarët e këtushëm duan ta mbajnë prodhimin të vogël dhe ta shesin verën direkt nga punishtja e jo përmes shpërndarësve të mëdhenj.

"Unë nuk dua t’u lutem shpërndarësve të mëdhenj sepse kjo do të ishte shumë e vështirë për një punishte vere të vogël si ne. Do të na duhej të ulnim çmimin përgjysmë që ta bëjmë shpërndarjen me kompani të tjera. Pra, ne nuk jemi gati ta ulim çmimin kaq shumë kur kemi vëllim të vogël."

Sebastien thotë se për të arritur këtë qëllim, punishtja ka nevojë për më shumë vreshta. Për këtë vit ai po shton dy hektarë të tjerë.

"Këto hardhi i kemi marrë nga Kalifornia. Ato vijnë nga serat e ftohta. Pra, menjëherë pasi bien në kontakt me motin e ngrohtë, sythet çelin. Na duhen vetëm pesë ditë për t’i mbjellë dhe kaq."

Ai do të mbjellë disa prej varieteteve të njohura si Sauvignon Blanc, Chardonnay dhe Merlot. Por edhe Cabernet Franc, një rrush që shfaq një shije të veçantë kur rritet në Virxhinia.

Sebastien Marke, prodhues vere në Virxhinia
"Moti, dheu, territori, të gjitha këto i rrisin mirë këto lloje rrushi. Varietetin Cabernet Franc e mbolla në një shpat kodre dhe kështu ai do të ekspozohet ndaj diellit të pasdites. Dielli i jep rrushit një aromë të veçantë, diçka e ngjashme me shijen e piperit të zi."

Vera Cabernet Franc e kësaj punishteje fitoi një medalje të artë në vitin 2007 dhe një të argjendtë në 2008 nga gazeta San Francisco Chronicle.

Me kujdes të vazhdueshëm dhe pasion, rrushi i ri do të japë verën e parë pas pesë vjetësh.

Dhe me vreshtat shtesë, punishtja do të ketë prodhim të mjaftueshëm që të fillojë të dalë me fitim.

XS
SM
MD
LG