Lidhje

Një punishte vere vetëm me punonjëse gra, prodhon një verë cilësore në Toskanë

  • Zëri Amerikës

Një punishte vere vetëm me punonjëse gra, prodhon një verë cilësore në Toskanë

Një punishte vere vetëm me punonjëse gra, prodhon një verë cilësore në Toskanë

Një vreshtë ku prodhohet verë, në të cilën janë të punësuara vetëm gra, po bën bujë në industrinë italiane të verës. Fjala është për një punishte vere në Toskanë, ku gratë janë të përfshira në çdo hallkë të procesit, që nga kujdesi për vreshtën e deri tek të provuarit e cilësisë për verën e prodhuar. Burrat e vetëm që shihen në punishte, janë konsumatorët dhe njohësit e verës, që shkojnë për t’a shijuar.

Këto gra që kujdesen për hardhitë në kodrinat me vreshta të Toskanës nuk janë gjë e pazakontë. E pazakontë këtu është mungesa e burrave në çdo hallkë të prodhimit të verës. Që nga shekulli i 16, paraardhësit e Donatela Çineli Kolumbinit kanë prodhuar verë nga kodrat jugore të qytetit historik të Sienës.

Për tre breza perandoria e verës është drejtuar nga zonjat e familjes. Në një industri të dominuar nga burrat, Donatela Çielini Kolombini vendosi që të punësonte vetëm gra në biznesin e saj.

“Vij nga një familje që ka prodhuar Brunellon dhe ka prodhuar verë për shekuj me rradhë. Në vitin 1998 lashë punën në biznesin tim familjar dhe nisa një projekt të ri: nisa punë në dy vreshta, njëra në Montalçino dhe tjetra në jug të Çiantit. Në këto vreshtari punojnë vetëm gra”.

Toskana është e njohur për pamjen e saj të bukur dhe verërat me famë botërore. Prodhuesja e verës Barbara Manjanai ka punuar në vreshtë që nga viti 2000. Ajo thotë se është me fat që ka punuar për Çineli Kolumbinin.

“Sinqerisht mendoj se kam qenë me fat. Gjithmonë më janë ofruar mundësi të mira dhe kanë besuar në aftsitë e mia. Ndaj nuk jam ndjerë e mënjanuar në këtë drejtim. Por deri vonë, roli i grave në oenologji, shkencën e prodhimit të verës ka qenë vetëm në laborator apo mbas një tryeze pune. Fatmirësisht kjo prirje sot ka ndryshuar”.

Gratë e punishtes së verës prodhojnë verëra të cilësisë së lartë, si Brunello di Montalcino Prime Done. Adhuruseit e verës Andrea Berna dhe Franko Finotello janë nga Venecia dhe kanë ndaluar këtu për të provuar verëra të ndryshme.

Ata janë njohës të verës dhe thonë se vëmendja e grave tek detajet i bën ato prodhuese të shkëlqyera të verës. Berna thotë se ai pëlqen në veçanti një prej verërave më cilësore të kësaj vreshte.

“Në gotën e dytë e pëlqej shumë. Bëhet fjalë për Brunello Prime Done. Po mos të shoh listën e çmimeve, do të ishte patjetër zgjedhja ime”.

Çinelli Kolombini është krenare për gjithë llojet e verërave që prodhohen në puishten e saj, por ajo veçon “Çenerentolën” – “Hirushja”, një verë e kuqe e prodhuar nga rrushi i famshëm sanxhioveze dhe nga një rrush që ritet në Trekuanda i quajtur Folia Tonda. Çinelli Kolumbini thotë se ideja për të pasur punonjëse femra në vreshtarinë e saj lindi, në vitin 1998.

“U lidha me shkollën e oneologjisë për të pyetur për një student të mirë që t’a punësoja si menaxhues të qilarit të verërave. Më thanë që duhet të prisja pasi nuk kishte. Kur i pyeta nëse kishte ndonjë vajzë për këtë pozitë më thanë se kishte shumë, pasi askush nuk punësonta vajza . Nga kjo mora shtysën për të krijuar një vreshtari ku të tregoja se diskriminimi kundër grave është jo vetëm një padrejtësi, por dëmton cilësinë e punës sepse gratë kanë kapacitetin që të arrijnë rezultate të larta. Një verë e mirë nuk bëhet me muskuj por me mendje”.

Jo çdokush mbështet një projekt vetëm me femra. Disa burra u ndjenë të diskriminuar kur ata aplikuan për të punuar në vreshtarinë e Çineli Kolumbinit dhe nuk u pranuan.

“Kur iu thoja kandidatëve burra për të punuar në këtë vreshtari se unë punësoja vetëm gra, ka patur dhe reagime jo të mira, pasi disa e shihnin këtë si një diskriminim në kahun e kundërt. Por në Itali ka kaq shumë mundësi punësimi në industrinë e verës, sa një vreshtari e vetme me punonjëse femra, nuk është mëkat, apo jo...?”

Me angazhimin për të arritur më të mirën, Donatela Çineli Kolumbini dhe zonjat e stafit të saj jo vetë kanë krijuar një punishte vere simpatike por po shrojnë rrugën për krijimin e verëprodhueseve gra në të ardhmen.

XS
SM
MD
LG