Lidhje

Një rast i rëndë përdhunimi në Turqi vazhdon të shkaktojë zemërim të madh edhe pas 8 vjetësh


Grupe të të drejtave të njeriut po shprehin zemërim të thellë rreth vendimeve kontradiktore të sistemit të drejtësisë në Turqi për disa raste të njohura përdhunimi. Njëri prej këtyre rasteve ka të bëjë me vendimin e një gjykate apeli, e cila uli dënimin me burgim për rreth 20 meshkuj të gjetur fajtorë për përdhunimin e një vajze 12 vjeçare. Dorian Jones i Zërit të Amerikës njofton se ky rast, që i është kaluar Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, është në qendër të zemërimit në rritje të publikut. Rasti i vajzës, e cila ligjërisht njihet me inicialet NC, vazhdon të shkaktojë zemërim të thellë në Turqi.

Nëntorin e kaluar, qindra njerëz protestuan në Stamboll, kur Gjykata e Apelit vendosi se fëmija, në atë kohë 12 vjeçare ishte pranuar të përdhunohej nga më shumë se 10 burra dhe i dënoi ata vetëm me një ose dy vjet burg.

Për avokaten e të drejtave të njeriut, Eren Keskin ky vendim ishte zbrapsja më e fundit në përpjekjet e saj 8 vjeçare për të gjetur drejtësi për vajzën NC-në.

Zonja Keskin është përballur për 20 vjet të tëra me beteja të tilla ligjore si dhe me anën e errët të shoqërisë turke, por ajo thotë se në përvojën e saj të gjatë, kjo çështje ligjore nxori në dritë shumë gjëra të reja.

“Që nga fillimi kishim të bënim me një çështje të tmerrshme ligjore. Një vajzë jetime 12 vjeçare u rrëmbye nga jetimorja dhe u mbajt për muaj të tërë, duke u dhënë me qira që të përdhunohej nga më shumë se 10 meshkuj, mes të cilëve kishte zyrtarë shtetërorë lokal si dhe një officer ushtrie. Të gjithë këta burra kishin për detyrë të mbronin popullatën”, thotë avokatja.

Zonja Keskin thotë se kjo çështje ligjore ekspozon aspektet dhe mangësitë më të mëdha të sistemit turk të drejtësisë se si trajtohen femrat viktima të krimeve seksuale, veçanërisht të miturat. Ajo thotë se ishte tmerruar nga mënyra se si u trajtua vajza NC gjatë viteve të procesit ligjor.

“Gjykatësit e turpëruan atë, duke i kërkuar të shpjegonte në hollësi se çfarë i kishte ndodhur dhe kjo u bë para të pandehurve. Në gjyq nuk kishte mbështetje për të, ajo ishte e akuzuara, një skenar tepër i vështirë për të”.

Avokatja Keskin thotë se gjatë gjithë kësaj përvoje të tmerrshme, NC merrte ndihmë psikiatrike, megjithatë ajo përjetonte përsëri të njëjtën traumë çdo here që kthehej në gjyq.

Disa ministra turq kanë kritikuar ashpër sistemin juridik lidhur me mënyrën se si u trajtua rasti i NC-së. Ministri turk i Drejtësisë, Sadullah Ergin thotë se krimi kundër NC-së ndodhi përpara miratimit të një ligji të ri, që parashikon ndëshkime shumë më të ashpra për krime të tilla.

Pinar Ilkaracan e organizatës Gratë për të Drejtat e Njeriut, vë në pikpyetje angazhiminn e qeverisë, duke thënë se vetëm presioni nga shoqëria e detyroi atë të ndryshonte ligjin, që redukton ndëshkimet për përdhunuesit, nëse ata martohen me viktimat e tyre.

"Ky nen ishte pjesë e kodit të mëparshëm penal, i cili ka shkaktuar reagimin më të ashpër të publikut. Qeveria donte ta mbante në fuqi këtë nen, por më në fund ai u shfuqizua, megjithatë qeveria ka ndryshuar përbërjen si dhe numrin e gjykatësve e prokurorëve më të lartë dhe në këshillin e ri gjykatësit dhe prokurorët janë shumë më tepër konservatorë dhe duket sikur ekziston një përplasje me ndryshimet në kodin penal".

Avokatja Keskin thotë se reformat ligjore në Turqi përbëjnë një përmirësim të rëndësishëm, por përvoja e saj në rastin e vajzës 12 vjeçare nxjerr në pah nevojën për ndryshime në mentalitetin e sistemit juridik.

“Kjo çështje tregon se ligji në Turqi mbron meshkujt dhe është shumë i prapambetur në mentalitetin e tij. Ka pasur shumë ndryshime positive të ligjit, por hapat drejt zbatimit të tij kanë qenë shumë të vogla”.

NC është rritur dhe me mbështetjen e plotë të avokates së saj Keskin ka në plan të ndjekë studimet e larta. Por lufta e saj për drejtësi në Turqi ka marrë fund. Tani ajo po kërkon kompensim në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ku avokatja e saj Keskin shpreson që ajo të gjejë drejtësi të plotë.

XS
SM
MD
LG