Lidhje

Një libër i ri rreth përpjekjeve për të zgjatur jetën


Një libër i ri rreth përpjekjeve për të zgjatur jetën
Një libër i ri rreth përpjekjeve për të zgjatur jetën

Njerëzit prej kohësh kanë ëndërruar të bëhen të pavdekshëm, ose që t’i zgjasin sa më shumë vitet e jetës së tyre. Pikërisht për këtë temë flet në librin e tij autori Xhonathan Uiner, i cili ka eksploruar shkencën dhe pseudoshkencën e zgjatjes së jetës në librin e tij “Ta duash këtë botë, shkenca e çuditshme e pavdekësisë”. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Mike O’Sullivan bisedoi me shkrimtarin, i cili shtron pyetjen, në se zgjatja jetës është diçka e mundur, apo thjesht një dëshirë.

Asgjë në natyrë nuk është e pavdekshme, por disa lloje gaforresh jetojnë për shekuj me radhë ndërsa një krijesë e vogël uji, e quajtur Hidra, jeton shumë gjatë, të paktën deri sa thahet uji i pellgut ku ajo qëndron. A mund të arrijnë të jetojnë po aq gjatë njerëzit? Autori Xhonathan Uiner thotë se ata gjithmonë e kanë ëndërruar këtë gjë.

“Në se i hedh një vështrim një numri të madh qytetërimesh, ato janë përpjekur për pavdekësi. Adami dhe Eva me mollën e ndaluar, perandorët në Kinë, Gilgameshi në Babiloni, e kështu me radhë… Edhe në mitologjinë greke, Herkuli, me trimërinë dhe bëmat e tij, përpiqej vazhdimisht të sfidonte vdekjen. Sepse në një farë mënyre, kjo është detyra jonë parësore si qenie të vdekshme.”

Autori thotë se përpjekjet për të qenë gjithmonë të rinj janë të njohura për disa njerëz të shquar. Në fillim të shekullit të 20-të, disa njerëz besonin se ndërhyrjet kirurgjikale mund t’ua rigjallëronin forcën dhe energjinë.

"Sigmund Frojdi dhe poeti i madh Uilliam Batlër Yeats, dihet që kanë shkuar tek kirurgu për t’u rinuar në moshë të shkuar. Operacioni e rinoi poetin Yeats. Ai në fakt pati një lloj lulëzimi, duke shkruar më shumë poezi dhe në Dublin e quanin “plaku i rinuar”. Në rastin e Frojdit, nuk dihet mirë rezultati i operacionit. Babai i psikoanalizës i shmangte bisedat për këtë çështje.”

Autori Xhonathan Uiner thotë se shkencëtarët nuk janë të sigurt se sa mund të zgjatet jeta e njerëzve dhe se ata thjesht debatojnë për mënyrën më të mire për ta zgjatur atë. Disa përqëndrohen në probleme të veçanta të pleqërisë, si kanceri, alxajmeri, sëmundjet e zemrës, të tjerë përpiqen të gjejnë arsyet përse trupi i njeriut degradon deri në nivelin e qelizave. Në fakt, gjatë shekullit të fundit, thotë autori, jeta është zgjatur dhe mesatarisht, tani njerëzit jetojnë disa dekada më gjatë se sa gjyshërit e tyre.

Tanis një numër më i madh njerëzish kapin moshën 100 vjeçare. Por, përsëri, disa njerëz nuk arrijnë të bëhen as 80 vjeç dhe 100-vjeçarët janë një pjesë tepër e vogël e popullsisë.

Shkrimtari thekson se zgjatja e jetës në shekullin 21 po krijon tensione sociale, duke i kundërvënë të rinjtë me të moshuarit në debate për taksat, shpenzimet publike dhe moshën e daljes në pension në Evropë dhe gjetkë.

Ai shtron edhe pyetje të tilla, si ç’do të ndodhte me shumëfishimin e popullsisë në se çiftet do të lindin fëçmijë për 100 vjet? Apo, cila do të ishte pasoja e jetëgjatësisë në se disa shoqëri do të udhëhiqeshin nga njerëz të moshuar dhe të këqinj.

“Imagjinoni sikur Mao Ce Duni, apo Stalini të kishin jetuar edhe 50, apo 60 vjet të tjerë. Apo nëse Hitleri do të kishte patur rastin të jetonte 1 mijë vjet dhe të drejtonte Gjermaninë? Do të ishte një ëndërr e tmerrshme."

Një tjetër pyetje që shtron autori është: A do të ishte zgjatja e madhe e jetës një dhunim i natyrës? Ndoshta jo, thotë ai.

"Në se do të gjenim disa nga sekretet e jetëgjatësisë së midhjes apo të hidrës dhe t’ia jepnim vetes, atëhere do të bënim gjëra të ndryshme nga ato që bëjmë sot për të patur një jetë të gjatë, të lumtur dhe të shëndetshme, si vaksina e gripit, apo ushtrimet fizike."

Autori thotë se megjithatë, ne ende nuk ndeshemi sot me probleme të tilla të vështira, sepse shkencëtarët që përpiqen të na zgjasin jetën ende nuk kanë bërë ndonjë zbulim të madh në këtë fushë.

Të jetosh përgjithmonë, kjo vazhdon të jetë një ëndërr, objekt i miteve dhe i letëërsisë dhe shumë shkencëtarë shpresojnë të shtojnë të paktën 20, apo 30 vjet në jetën e njerëzve. Ata që janë më optimistë shpresojnë të shtojnë qindra vjet, ndërsa skeptikët mendojnë se ndoshta ne kemi arritur maksimumin e jetës njerëzore.

XS
SM
MD
LG