Lidhje

Një shoqatë paralajmëron për efektet e shkurtimit të fondeve për Sidën


Një shoqatë paralajmëron për efektet e shkurtimit të fondeve për Sidën
Një shoqatë paralajmëron për efektet e shkurtimit të fondeve për Sidën

Fondi Global për luftën kundër Sidës, tuberkulozit dhe malarjes festoi këtë vit 10 vjetorin. Fondi thotë se ka shpëtuar mbi 7 milionë e gjysmë jetë njerëzish duke mbështetur programe parandalimi dhe kurimi. Megjithatë në nëntor të vitit të kaluar fondi deklaroi se kishte anuluar raundin e radhës të financimit dhe se nuk do të miratoheshin grante të reja deri në vitin 2014. Një organizatë joqeveritare po paralajmëron për pasojat nëse donatorët nuk japin kontribut.

Fondi global filloi të mbledhë donacione nga qeveritë dhe fondacionet private në janar të vitit 2002. Që atëherë ka miratuar mbi 22 miliardë dollarë për qindra programe në mbi 150 vende.

Rreth 50 vende kanë kontribuar. Shtetet e Bashkuara kanë qenë vendi që ka dhuruar më shumë, duke ofruar 33 për qind të dhurimeve çdo vit. Në vitin 2010 Amerika u zotua të japë mbi një milliardë dollarë.

Megjithatë kur bordi i këtij fondi u mblodh në Akra të Ganës në nëntor, zyrtarët vendosën që të anullojnë raundin e ardhshëm të financimit. Përveç krizës globale ekonomike, pati edhe një rënie të thellë donacionesh. Zyrtarët thonë tani se pjesa më e madhe e 8 miliardë dollarëve që pritet të arrijnë deri në fund të vitit 2013 do të nevojitet për të ripërtëritur grantet ekzistuese. Kjo nuk lë fonde për raundin 11.

Aleanca Ndërkombëtare e HIV/Sidës ka nxjerrë një raport të ri për fondin global të titulluar “Mos u ndalni tani”. Alvaro Bermejo është Drejtor Ekzekutiv i kësaj OJQ-je.

“Kemi arritur në atë pikë kur shkenca dhe mjetet që kemi na japin mundësinë të mendojmë për një botë pa Sidë dhe ta planifikojmë këtë mundësi brenda një brezi. Por në këtë moment kaq të rëndësishëm, donatorët nuk po i plotësojnë angazhimet e tyre. Fondi global mund të mos ketë financime të mjaftueshme dhe ky vizion nuk do të materializohet. Kështuqë u bëjmë thirrje donatorëve që të mos ndalen tani që jemi në këtë pikë kritike në betejën kundër HIV-it”.

Bermejo i vlerëson përpjekjet e Fondit gjatë 10 viteve të fundit.

“Fondi global ka luajtur rol kyç në masat kundër HIV-it, si edhe kundër tuberkulozit dhe malarjes. Përparimi i madh që është arritur në luftën kundër këtyre sëmundjeve nuk do të kishte qenë i mundur pa këtë kontribut”.

Kriza ekonomike ka detyruar shumë nga organizatat kundër Sidës që të ndryshojnë përparësitë e financimeve dhe të bëhen shumë më efektive.

“Mendoj se është e vërtetë se duhet të jemi sa më shumë efiçentë që të jetë e mundur dhe jam i sigurt që ka mundësi për ta realizuar këtë. Po ashtu mendoj se të gjithë po bëjnë të gjitha përpjekjet në këtë drejtim. Por të mos financosh fondin global është një mungesë e madhe efektiviteti sepse jo vetëm ngadalësohet ritmi i përparimit por bëhen edhe hapa mbrapa dhe ato fitore që kemi arritur mund të shkojnë dëm”.

Aleanca Ndërkombëtare për HIV-in dhe Sidën përllogarit se mungesat arrijnë në shumën 2 miliardë dollarë.

“Hendeku aktual u krijua kryesisht pasi donatorët që premtuan fonde në konferencën e Nju Jorkut në 2010, nuk i kanë plotësuar angazhimet plotësisht”.

Raporti i aleancës analizon efektet e mundshme të mungesës së fondeve në pesë vende.

“Në Zambia për shembull, rreth 130 mijë njerëz që kanë nevojë për terapinë antiretrovirale për të mbijetuar nuk do të mund ta marrin atë. Në Sudanin Jugor, vendi më i ri në botë që ka një strategji shumë të mirë për paramdalimin e HIV/Sidës, 80 për qind e saj është e pafinancuar”.

Kushte të ngjashme janë edhe në Zimbabve, Bolivi dhe Bangladesh.

Aleanca bën tre rekomandime. Së pari u bën thirrje donatorëve që të respektojnë angazhimet ndaj fondit global. Po ashtu thotë se qeveritë duhet të rrisin investimet e tyre në programet kundër HIV-it. Dhe së fundi rekomandon që donatorë të dyanshëm të plotësojnë boshllëqe kritike në shërbim që nuk mbulohen nga programet ekzistuese. Donatorë dypalësh janë vende anëtare të OKB-së që u japin ndihmë direkte vendeve të tjera.

Kreu i Aleancës Ndërkombëtare kundër HIV/Sidës thotë se ende shpreson që një raund i ri financimesh do të mbahet këtë vit, mundësisht që përpara konferencës së 19-të për Sidën në Washington që do të mbahet më korrik. Konferenca është aktiviteti më i madh global për Sidën.

XS
SM
MD
LG