Lidhje

Një shqiptar me banim në Nju Jork pranon fajësinë për mbështetje të terrorizmit


Agron Hasbajrami, një qytetar shqiptar 27 vjeçar me banim në Bruklin të Nju Jorkut, pranoi sot fajësinë në një gjykatë të Nju Jorkut për tentativë mbështetjeje të grupeve terroriste. Hasbajrami përballet me deri në 15 vjet burgim. Si kusht për deklarimin e fajësisë, Hasbajrami ka rënë dakord që të deportohet nga Shtetet e Bashkuara.

Njoftimi u bë i ditur nga prokuroria e Nju Jorkut. Sipas dokumenteve të gjykatës. Hasbajrami ishte përpjekur të shkonte në rajonet fisnore të Pakistanit për t’u bërë pjesë e një grupi radikal xhihadist. Po ashtu ai kishte dërguar mbi 1 mijë dollarë në transaksione të ndryshme jashtë Amerikës për të mbështetur aktivitetet terroriste në Pakistan dhe Afganistan. Hasbajrami kishte shkëmbyer mesazhe elektronike me një individ në Pakistan që i kishte thënë se ishte anëtar i një grupi të armatosur që kishte vrarë ushtarë amerikanë.

Për të ruajtur fshehtësinë e komunikimit, Hasbajrami dhe individi tjetër në Pakistan përdornin adresa të ndryshme emaili. Në një mesazh ai shprehej se ishte e vështirë t’u kërkonte para myslimanëve të tjerë sepse ata distancoheshin kur ai u thoshte se i donte për xhihad.

Më 5 shtator 2011, Hasbajrami bleu një biletë pa kthim për në Turqi dhe nga komunikimet e tij me email rezultonte se ai do të shkonte në zonat fisnore kufitare të Pakistanit. Të nesërmen ai u arrestua në aeroportin John F. Kennedy në Nju Jork. Pas arrestimit në banesën e tij u gjet mes të tjerash një shënim ku thuhej “mos prit për pushtimin, është koha për martirizim”.

XS
SM
MD
LG