Lidhje

Një sipërmarrës i ri gjen suksesin në internet

  • Tala Hadavi

Një sipërmarrës i ri gjen suksesin në internet

Një sipërmarrës i ri gjen suksesin në internet

Në vitin 1931, autori i famshëm James Truslow Adams popullarizoi shprehjen “Ëndrra Amerikane”. Ai tha se “jeta duhet të jetë më e mirë, më e pasur dhe më e përmbushur për këdo, me mundësi për të gjithë, në bazë të aftësive apo arritjeve”. Megjithëse përkufizimi i kësaj shprehjeje është ende i paqartë, jeta e një të riu duket se e personifikon atë.

Mazyar Kazerooni e hapi kompaninë e parë të internetit kur ishte në shkollë të mesme. Kur filloi të nxirrte fitime të konsiderueshme, ai i bindi prindërit që të linte shkollën dhe t’i jepte një shans biznesit të tij të internetit:

“E krijova këtë faqe interneti kur isha 15 vjeç. Kur je në shkollë të mesme dhe she që fiton më shumë para se sa do të mund të fitonin mësuesit ndonjëherë, ndjehesh pak i çorientuar”.

Dy vjet më pas, pasi hoqi dorë nga projekti i tij i parë sipërmarrës, Kazerooni dhe shoku i tij Matt Schlicht, i cili po ashtu kishte lënë shkollën, filluan të punojnë për një kompani të re videoje “Ustream”. Në atë kohë, videoja drejtpërdrejt në kompjuter ishte diçka e re dhe puna e Kazeroonit ishte të bindte muzikantët rap që kompania ishte zbulimi i fundit më i madh. Ai dinte ta bënte këtë punë, gjë që u provua nga vlerësimet e artistëve.

Ai doli aq mirë saqë, këngëtari rap Li’l Wayne i kërkoi Kazeroonit që të hartonte strategjinë e tij dixhitale:

“Ne e ndihmuam që të merrte në dorë përsëri faqen e tij të Facebook-ut. Ai kishte miliona admirues dhe askush nuk po komunikonte me ta. Ndërsa tani nga 1 milion numri ka shkuar në 31 milionë. I siguruam një rekord Guiness për statusin më të pëlqyer në Facebook. Tani të gjithë këta djem janë si anëtarë të familjes: Young Money, Li’l Wayne, Little Twist. Kemi punuar me ta për vite me radhë”.

Para disa muajsh, Kazerooni dhe Schlicht e lanë Ustream për të hapur një kompani të vetën, “Tracks.By,” që u krijon mundësinë artistëve të shfaqin muzikën e tyre, videot dhe datat e turneve në Facebook. Sipërmarrësi Shervin Pishevar kishte aq shumë besim tek kjo ide saqë investoi 500 mijë dollarë:

“Ne po përpiqemi që ta shndërrojmë të gjithë përvojën që kemi fituar nga puna me Li’l Wayne dhe Little Twist në produkte që çdo artist mund t’i përdorë”.

Tracks.By është zgjeruar duke arritur në pikën që ata kanë marrë në punë disa miq që kanë përvojë në kompjutera dhe rrjetet sociale. Por tani për tani ata po i bëjnë gjërat thjesht dhe e drejtojnë biznesin nga shtëpia:

“Në fakt nuk është ndonjë rrezik i madh, sidomos kur je i ri. Është e lehtë të kalosh nga një nismë në tjetrën, sepse më e keqja që mund të ndodhë është që të mbarohen paratë dhe përpiqesh të gjesh diçka tjetër. Mendoj se ia vlen, sepse nëse ia del, të jep më shumë kënaqësi se çdo gjë tjetër”.

Rreth 50 artistë me 150 milionë admirues gjithsej kanë nënshkruar deri tani kontrata me firmën e re. Kazerooni mund të jetë duke jetuar pikërisht ëndrrën amerikane për të cilin fliste James Truslow Adams ...

Të njëjtin motiv që përsërit në Tracks.By edhe artisti Drake


XS
SM
MD
LG