Lidhje

Një studim e lidh autizmin me lindjen nën peshë


Një studim e lidh autizmin me lindjen nën peshë
Një studim e lidh autizmin me lindjen nën peshë

Ka një numër çrregullimesh autizmi që shfaqen në forma të rënda. Por fëmijët me autizm në përgjithësi, kanë probleme në tre fusha zhvillimi – ndërveprim shoqëror, gjuhë dhe sjellje.

Një studim i publikuar në revistën “Pediatrics” sjell dëshmi të reja se pesha e ulët në lindje është një faktor rreziku për zhvillimin e autizmit.

Autorët e studimit vëzhguan mbi 1000 persona që kishin lindur nën 2 kilogram e gjysmë, që konsiderohet peshë e ulët e fëmijës në lindjes.

- Në moshën 16 vjeç, mbi 600 prej këtyre fëmijëve u vlerësuan për autizëm duke përdorur një pyetësor për shqyrtimin e aftësive të tyre.

- Në moshën 21 vjeç, 189 fëmijë pjesmarrës në studim u testuan për autizëm duke përdorur një mjet tjetër diagnostikimi.

- Në moshën 21 vjeçare, 5% e pjesëmarrësve u diagnostikuan me autizëm, shifër thuajse pesë herë mbi nivelin e raportuar në popullatën e përgjithshme.

Askush nuk e di se çfarë e shkakton autizmin. Ky çrregullim nuk ka shërim, por në shumë raste mund të kontrollohet. Ekspertët thonë se edhe diagnostikimi i hershëm – para moshës 3 vjeçare – duket të jetë i dobishëm.

Fëmijët me autizëm zakonisht tregojnë disa shenja të zhvillimit të vonuar duke filluar nga muaji i 18. Nëse një prind dyshon se fëmija mund të ketë autizëm, diskutimi me mjekun është rruga më e mirë.

Paralajmërim ndaj ilaçit Chantix për lënien e duhanit

Një studim i ri thotë se ilaçi “Chantix” është e papërshtatshme për lënien e duhani. Dhe nuk është hera e parë që ‘Chantix” fajësohet për efekte anësore të rrezikshme.

Në vitin 2009, administrata e ushqimeve dhe barnave (FDA) vendosi etiketën paralajmëruese, duke përmendur rrezikun e depresionit, sjelljeve agresive dhe mendime për vetëvrasje mes personave që përdornin Chantix si mënyrë për të lënë duhanin.

Tani, një studim në revistën mjekësore “PLoS One” kërkon që këtij paralajmërimi t’i shtohet se Chantix është më i rrezikshëm sesa trajtimet e tjera për lënien e duhanit.

Shkencëtarët në qëndrën mjekësore Baptist në Wake Forest analizuan më shumë se 3 mijë njoftime të sjelljes vetëvrasëse dhe depresionit mes pacientë që merrnin Chantix, ilaç konkurrues Zyban, dhe barna për zëvendësimin e nikotinës.

Shkencëtarët zbuluan se 90 përqind rasteve ishin të lidhura me ilaçin Chantix.

Në njoftimet për vetëvrasje mes atyre që trajtoheshin me barna për lënien e duhanit, 92 përqind të rasteve kishin ndodhur mes pacientëve që ishin trajtuar me Chantix.

Megjithatë, administrat e ushqimeve dhe barnave thotë se Chantix është një mënyrë e sigurt dhe efektive për të ndihmuar duhanpirësit. Kompania farmaceutike Pfizer është dakord, por thotë se po kryen prova klinike lidhur me efektet psikologjike të ilaçit Chantix.

Adoleshentët dhe pijet

Tingëllon si shqetësim i njohur, por fjala është për pijet e ëmbla ose të “buta” dhe jo ato alkoholike. Janë quajtur pije të buta, por një studim i ri i klasifikon ato si “gjysmë të buta”.

Studimi i botuar në revistën mjekësore “Injury Prevention”, thotë se pijet e ëmbla jo dietike lidhen me sjelljet e dhunshme tek adoleshentët

Rreth 2 mijë nxënës të shkollave të mesme në Boston, mes moshës 14 – 18 vjeç, u pyetën se sa pije të ëmbla – jo dietike – konsumonin çdo javë.

Ata që thanë se pinin 5 ose më shumë kanaçe në javë pijesh të tilla, gjithashtu pohuan se gjatë vitit kishin mbajtur me vete armë ose thika.

Sipas autorëve të studimit, këta persona kishin pasur 15 përqind më shumë incidente me dhunë me vëllezërit, motrat ose bashkë-moshatarët e tyre.

Në studim thuhet se këto sjellje mund të shpjegohen me sheqernat dhe kafeinën që përmbajnë këto lloj pijesh. Por autorët nuk përjashtojnë faktorë të tjerë që ndikojnë në sjelljet e dhunëshme mes adoleshentëve, si depresioni, konflikti familjar, ndëshkimet trupore të mëparshme, mungesa e një objektivi në jetë e etj.

XS
SM
MD
LG