Lidhje

Një studim i ri propozon një mënyrë për krijimin e vezëve të reja tek gratë

  • Art Çajms

Një studim shkencor i ri duket se po hedh poshtë një parim biologjik gjerësisht të pranuar mbi aftësitë riprodhuese femërore dhe se po ngjall shpresa të reja për gratë që kanë vështirësi të mbeten shtatzëna.

Për rreth gjysmë shekulli, gratë besohej të lindnin me një rezervë vezësh të caktuara, të cilat nuk mund të zëvendësoheshin. Në të vërtetë, kjo gjë mendohej të ishte e vërtetë për të gjithë gjitarët deri në vitin 2004, kur studiuesi i Spitalit të Përgjithshëm të Masaçusetsit Jonathan Tilly zbuloi se minjtë femra të rritura mund të prodhonin vezë të reja. Tani, zoti Tilly ka shtrirë punën e tij edhe tek njerëzit.

“Ne kemi veçuar praktikisht qelizat femërore të barasvlershme me qelizat embrionale, të cilat ne e dimë që ekzistojnë tek meshkujt ku prodhojnë spermatozoidë të rinj. Duke patur këto qeliza tashmë të veçuara, unë mendoj se kjo hap mundësi të shumta për t’u marrë në konsideratë, të cilat ne më parë nuk mund t’i kuptonim deri në fund”.

Zoti Tilly dhe kolegët e tij morën qelizat prej vezoreve njerëzore, duke i kapur mbi një proteinë të veçantë në sipërfaqe dhe kryen prova laboratorike për t’u sigururar që kishin të bënin me qelizat e duhura.

“Pasi veçuam këto qeliza, ne mund t’i vendosnim ato të rriteshin jashtë trupit. Pra, ne mund të fillonim me ndoshta 100 qeliza të tilla dhe pas disa muajsh të merrnim këto 100 qeliza dhe me anë të tyre të krijonim qindra mijëra të tjera. Interesant është fakti që ne vumë re se këto qeliza mund të krijonin vetvetiu vezë të pazhvilluara në vendet ku ne i vumë të rriteshin”.

Zoti Tilly thotë se zhvillimi i vezëve në laborator mund të përmirësojë mundësitë për gratë që kryejnë procesin e mbarsjes artificiale – gjatë të cilit vezët e gruas pllenohen në kushte laboratorike dhe më pas rivendosen në mitër për t’u zhvilluar. Por ai thotë se studimi i tij mund të sjellë gjithashtu trajtime të mundshme të aftësive riprodhuese që mund të rrisin mundësitë edhe për metodat më tradicionale.

“Ne ndoshta mund të mendojmë të trajtojmë këto qeliza të vezoreve me hormone që ato pëlqejnë, duke rritur në këtë mënyrë aktivitetin e tyre dhe ndoshta mund të rrisim kështu edhe përmasat e rezervës së qelizave të vezëve në vezore, kur një gjë e tillë do të ishte e dëshirueshme”.

Studimi i mëparshëm i zotit Tilly tek minjtë u prit me mosbesim, dhe ekspertë të pavarur janë të rezervuar edhe ndaj këtij studimi të ri. Ashtu siç ndodh zakonisht në fushën e shkencës, prova e vërtetë mund të vijë atëherë kur studiues të tjerë të përsërisin këto eksperimente.

Studimi i zotit Jonathan Tilly mbi krijimin e vezëve të reja njerëzore prej qelizave embrionale është botuar në internet prej revistës Nature Medicine.

XS
SM
MD
LG