Lidhje

Turqi: Mbi 260 të vdekur dhe të paktën 1 mijë të plagosur nga tërmeti


Turqi: Mbi 260 të vdekur dhe të paktën 1 mijë të plagosur nga tërmeti
Turqi: Mbi 260 të vdekur dhe të paktën 1 mijë të plagosur nga tërmeti

Tërmeti me magnitudë 7.2 goditi provincën Van ndërkohë që janë regjistruar disa pasgoditje

Ekipet e shpëtimit në Turqi i vazhduan edhe sot kërkimet në rrënoja për të mbijejtuar të mundshëm pas tërmetit të djeshëm që ka vrarë mbi 260 vetë dhe ka plagosur të paktën 1 mijë vetë. Ministri i Brendshëm i Turqisë, Idris Naim Sahin vizitoi qytezën e dëmtuar më rëndë, Erkis, rreth 90 kilometra në veri të qytetit Van. Ai tha se tërmeti me magnitudë 7,2 ballë vetëm në qytetin Erkis shembi rreth 80 ndërtesa shumëkatëshe.

Ekipet e shpëtimit nxorrën sot të gjallë disa njerëz nga godinat e rrëzuara në qytetin Erkis, mes tyre edhe një burrë që arriti të kërkonte ndihmë nga telefoni i tij celular.

Dhjetra njerëz të tjerë janë mbuluar nga rrënojat, megjithatë autoritetet kanë shpresë se numri i të vdekurve mund të mos jetë aq i madh sa u mendua fillimisht.

Kryeministri turk Rexhep Tajip Erdogan, i cili shkoi dje vonë në vendin e ngjarjes, tha se gati të gjitha shtëpitë prej qerpiçi në fshatrat përreth epiqendrës, janë shembur nga tërmeti, i cili u ndje edhe në disa pjesë të Iranit dhe Armenisë.

Ekipet e shpëtimit vazhduan punën gjatë natës mes godinave të sheshuara, ndërsa pjesëtarët e familjeve prisnin përjashta, disa prej tyre duke qarë.

Vinçat dhe pajisje të tjera të rënda ngrinin copa të mëdha betoni, ndërsa vetë banorët gërmonin me lopata.

Organizatat e ndihmave përpiqeshin të ngrinin çadra, spitale dhe menca për mijëra njerëzit e mbetur pa strehë ose që kishin frikë të hynin në shtëpitë e tyre.

Një i mbijetuar u nxor sot nga rrënojat në qytetin Van, rreth 90 kilometra në jug të qytetit Erkis, pasi ekipet e shpëtimit prenë shufrat e çelikut dhe thyen pak nga pak betonin për të hapur hapësirën e mjaftueshme për ta nxjerrë atë.

Zyrtarët thanë se rreth 1,275 ekipe shpëtimi nga 38 provinca janë dërguar në rajon, ku po ndihmohen edhe nga forcat e ushtrisë.

Sipas përllogaritjeve të qeverisë, njerëzit janë ende të bllokuar poshtë 40 ndërtesave të rrëzuara, duke ngjallur frikën se numri i të vdekurve mun d të ngrihet ndjeshëm.

Autoritetet i kanë këshilluar njerëzit që të mos hyjnë në shtëpitë e dëmtuarsepse ato mund të shëmben nga pas lëkundjet e tërmetit.

Disa vende, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara e Izraelin, ofruan ndihmë për Turqinë. Presidenti Barak Obama tha dje se Uashingtoni po i ndjek njoftimet me kujdes dhe me shqetësim dhe do ta ndihmojë Turqinë gjatë kësaj kohe të vështirë. Megjithatë kryeministri Erdogan tha se tani për tani Turqia ka burimet e mjaftueshme. Ai tha se Azerbaixhani, Irani dhe Bullgaria kanë dërguar tashmë ndihma.

XS
SM
MD
LG