Lidhje

Një ushtar amerikan hap zjarr dhe vret 16 civilë në Afganistan


Një toger i ushtrisë amerikane hapi zjarr kundër fshatarëve në jug të Afganistanit dje herët, duke vrarë 16 vetë, shumica gra dhe fëmijë.

Vrasjet në dy fshatra të provincës së Kandaharit, të përshkruara si mizoritë më të rënda të kryera nga forcat amerikane gjatë luftës 10 vjeçare në Afganistan, ndoshin ndërkohë që janë shtuar tensionet mes Uashingtonit dhe Kabulit.

Presidenti i Afganistanit, Hamid Karzai, tha se të shtënat ishin të qëllimshme për të vrarë civilë të pafajshëm dhe nuk mund të falen. Ai kërkoi shpjegime nga Shtetet e Bashkuara, duke thënë se nëntë fëmijë dhe tri gra ishin mes viktimave.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, i telefonoi udhëheqësit afgan për t’i shprehur tronditjen dhe keqardhjen e tij për incidentin. Ai ngushëlloi popullin e Afganistanit dhe tha se mbështet thirrjen e sekretarit të Mbrojtjes, Leon Paneta, për një hetim të shpejtë dhe për të mbajtur përgjegjës çdo kënd që ka qënë i implikuar në incident.

Gjatë një telefonate dje, zoti Paneta e siguroi Presidentin Karzai se hetimi ka filluar dhe një person i dyshimtë është arrestuar. Ai tha se personat përgjegjës do të nxirren para drejtësisë, duke i bërë kështu jehonë një deklarate të mëparëshme të komandantit të forcave të NATO-s në Afganistan, gjeneralit amerikan Xhon Allen.

Zyrtarët e NATO-s thanë se i dyshuari, i cili u identifikua si toger i ushtrisë nga një njësi me bazë në shtetin e Uashingtonit, u dorëzua pas të shtënave në fshatrat në afërsi të bazës ushtarake. Shumë dëshmitarë i thanë shërbimit Dari të Zërit të Amerikës se sulmet u kryen nga disa njesëz, por zyrtarët përmendën vetëm një person të dyshimtë.

I ngarkuari me funksionet e ambasadorit amerikan në Afganistan, Xhejms Kaninghem, u shprehu ngushëllimet e tij të thella familjeve të viktimave. Ai tha se forcat amerikane po tregojnë nivelin më të lartë të kujdesit për të plagosurit dhe se incidenti po hetohet.

XS
SM
MD
LG