Lidhje

Një vit më pas, vrasja e bin-Ladenit ende ndikon marrëdhëniet SHBA-Pakistan

  • Ayaz Gul

Para një viti, përfundoi një nga proceset e ndjekjes së një personi me më tepër pasoja në histori, kur forcat amerikane vrarë Osama bin Ladenin në Pakistan. Operacioni sekret i Shteteve të Bashkuara dhe fshehja e bin Ladenit pranë akademisë ushtarake kryesore të Pakistanit tronditën marrëdhëniet midis Uashingtonit dhe Islamabadit dhe dy vendet ende po hasin vështirësi për t’i përmirësuar ato.

Vendbanimi i fundit i Osama bin Ladenit, në zemër të qytetit garnizon të Abbottabadit, është tani krejtësisht i shembur.

Banorë të zonës kujtojnë natën kur forcat speciale amerikane vranë ish-udhëheqësin e al-Kaidës.

"Isha jashtë në tarracën e shtëpisë time pasi një nga helikopterët u rrëzua dhe unë pashë një tjetër të fluturonte mbi ndërtesë, duke zbritur më pas me shpejtësi brenda territorit të banesës. Një erë e fortë u përplas në derën kryesore të shtëpisë sime".

Pas fillimit të luftës në Afganistan, shefi i al-Kaidës kaloi shumë kohë në arrati në Pakistan, para se të zhvendosej në atë që vendasit e quajnë "Rezidenca në Vaziristan." Bin Ladeni, tre bashkëshortet e tij dhe fëmijët e tyre kanë jetuar këtu, për rreth pesë vjet.

Pas muajsh me rradhë gjatë të cilëve kishte interesim ndërkombëtar mbi shtëpinë e bin Ladenit, në shkurt, autoritetet pakistaneze e shembën ndërtesën. Por, ish-oficeri i ushtrisë Shaukat Qadir, një nga hetuesit e paktë që mund të hynin në kompleks, thotë se do të jetë më e vështirë për të shembur trashëgiminë ideologjike të bin Ladenit.

"Talibanët pakistanezë kanë lidhje me al-Kaidën. Ne gjithashtu dimë që al-Qaida ka ende shumë mbështetës në rajonin e Punjabit, veçanërisht në Punjabin jugor. Pra, ekziston një problem, pakistanezët e kanë këtë problem me al-Kaidën. "

Kritikët thonë se autoritetet pakistaneze shpesh fajësojnë faktorë të jashtëm për problemet e sigurisë vendase, duke mos i kushtuar rëndësi grupeve fetare pro-ushtarake.

Gjatë muajve pas operacionit të forcave speciale amerikane, grupe fetare mbështetën ushtrinë, e cila e cilësoi sulmin si një shkelje të sovranitetit të Pakistanit.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës disa muaj më parë, Ambasadori amerikan në Pakistan Cameron Munter shprehu mbështetje për operacionin dhe tha se ishte një përfitim për të dyja vendet.

"Sulmi kundër bin Ladenit nuk ishte një sulm kundër Pakistanit. Ai ishte një sulm ndaj një armiku të përbashkët. Dhe ajo që ne duhet të bëjmë për të ndrequr çdo pakënaqësi të Pakistanit është që të punojë edhe më ngushtë së bashku. "

Bisedimet diplomatike gjatë muajve që pasuan e patën të vështirë të rivendosnin besimin midis dy palëve. Marrëdhëniet midis SHBA-së dhe Pakistanit u përkeqësuan më tej kur 24 ushtarë pakistanezë u vranë në një sulm ajror ndërkufitar të forcave amerikane.

Kohët e fundit janë bërë përpjekje të reja për të përmirësuar lidhjen midis vendeve, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara përgatiten për të tërhequr forcat luftarake nga Afganistani.

Asad Munir ka qënë oficer i agjencisë pakistaneze të zbulimit.

"Nuk mendoj se marrëdhëniet do të jenë njësoj si ishin para 2 majit apo vitin e kaluar. Por ato duhet të përmirësohen. Nëse ata nuk do të mund të punojnë së bashku mbi strategjinë e daljes nga Afganistani të zotit Obama, nuk mendoj se ajo do të realizohet".

Analistët thonë se pas vrasjes së bin Ladeni, sfida kryesore ndaj sigurisë janë grupet pakistaneze dhe afgane që idealizojnë ish-udhëheqësin e al-Kaidës si një simbol të rezistencës myslimane ndaj Perëndimit.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG