Lidhje

Një vit pas ngjarjes në Fukushima, debat për energjinë bërthamore në Evropë


Aksidenti i vitit të kaluar në kompleksin bërthamor Daichi të Fukushimës në Japoni, ka intensifikuar mosmarrëveshjet në Evropë lidhur me sigurinë dhe të ardhmen e energjisë bërthamore. Qëndrimet e ndryshme ndoshta nuk janë askund më të dukshme sesa mes fuqive më të mëdha të rajonit: Francës dhe Gjermanisë. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Lisa Bryant njofton nga Parisi:

Kriza e eurozonës i ka forcuar lidhjet mes Francës dhe Gjermanisë. Por një krizë tjetër – aksidenti bërthamor i vitit të kaluar në Japoni – i ka vënë përballë njëri-tjetrit këta fqinjë evropianë.

Presidenti francez është mbështetës i fortë i energjisë bërthamore. Ai shpesh argumenton se energjia bërthamore është kritike për hapjen e vendeve të punës dhe për energji me kosto të ulët.

Franca është një nga prodhuesit kryesorë të energjisë bërthamore në botë. Rreth tre të katërtat e energjisë elektrike në Francë prodhohet nga energjia bërthamore. Franca gjithashtu eksporton energji dhe teknologji bërthamore. Kompanitë franceze do të ndërtojnë një reaktor bërthamor në Britani dhe po marrin pjesë në tendera për të ndërtuar të tjerë në Afrikën e Jugut.

Por aksidenti i Fukushimës e bëri qeverinë gjermane që të njoftojë për mbylljen e gjithë reaktorëve bërthamorë deri në vitin 2022, në vend të një ndërprerjeje më graduale të programit.

Vendimi i Gjermanisë pasoi protesta masive anti-bërthamore, por në Francë nuk pati të tilla protesta. Luis Echavarri është drejtor i përgjithshëm i Agjencisë për Energji Bërthamore me qendër në Paris, një degë e Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik.

“Ndryshimi mes Gjermanisë dhe Francës sipas mendimit tim, qëndron në reagimin e shoqërisë ndaj energjisë bërthamore. Duhet të mos harrojmë se klima sociale përsa i takon energjisë bërthamore në Gjermani nuk ka qenë shumë e favorshme në 20-25 vitet e fundit. Ndërsa në Francë shoqëria mendon se energjia bërthamore është në interesin e vendit”.

Këto qëndrime të ndryshme janë reflektuar edhe në vende të tjera në Evropë.

“Disa vende, si Gjermania, Italia, Belgjika dhe Zvicra e kanë thënë shumë qartë se do të vinte një ditë që do t’i mbyllnin komplekset bërthamore dhe nuk do të ndërtojnë të tjera. Por nga ana tjetër ka pasur vende që kanë thënë se do të vazhdojnë të mbajnë në funksionim komplekset ekzistuese dhe madje do të ndërtojnë të tjera”.

Por edhe në Francë, ngjarja e Fukushimës ka ngjallur shqetësime për energjinë bërthamore që janë shprehur në takime të ndryshme me publikun, sidomos tani që vendi bëhet gati për zgjedhjet presidenciale të prillit.

Rivali kryesor i zotit Sarkozy, kandidati i Partisë Socialiste Francois Hollande do që ta pakësojë varësinë e Francës tek energjia bërthamore por jo ta eliminojë plotësisht.

Por Yannick Rousselet që merret me çështjet bërthamore në degën e organizatës GreenPeace në Francë mendon se ky është fillimi i fundit.

“Mendoj se ka pasur një transformim në opinionin publik. Nuk duan që të ndalet në këtë moment prodhimi, por kam përshtypjen se shumica do që gradualisht prodhimi i energjisë bërthamore të pakësohet”.

Publiku u alarmua në dhjetor, kur anëtarë të Greenpeace u futën pa leje në dy stacione të energjisë bërthamore në Francë, për të vënë në pah se sa te ekspozuar ishin ato ndaj sulmeve terroriste. Rousselet thotë se në përgjithësi reaktorët francezë janë të ekspozuar.

“Ne mund të kemi probleme të ndryshme me sigurinë në Francë. Problemi është se nuk jemi gati. Reaktorët nuk janë gati. Dhe nuk kemi një përgjigje të gatshme”.

Bertrand Barre, këshilltar në kompaninë bërthamore franceze Areva nuk është i një mendjeje.

“Mendoj se njerëzit në Francë nuk janë në rrezik. Por sigurisht si me çdo aktivitet tjetër, edhe në fushën bërthamore ka një farë rreziku. Askund nuk ka një rrezikshmëri zero”.

Barre thotë se disa prova të reja të Bashkimit Evropian do ta rrisin aftësinë e reaktorëve për të përballuar katastrofat, një pretendim i hedhur poshtë nga kritikët e energjisë bërthamore si Rousselet.

Të dyja palët kanë gjithashtu qëndrime të kundërta përsa i takon kostos së prodhimit të energjisë bërthamore dhe mundësisë për t’u mbështetur plotësisht në burime energjie të ripërtëritshme si ajo diellore dhe e erës. Ajo që është e sigurt është se një vit pas Fukushimës, energjia bërthamore mbetet një element i rëndësishëm i ekuacionit të energjisë në Evropë.

XS
SM
MD
LG