Lidhje

Njëqindvjeçarët amerikanë


Një nga grupmoshat e popullsisë amerikane me shtimin më të madh është ajo e njëqindvjeçarëve - burra dhe gra që janë të paktën 100 vjeç. Një grua në Arkansa, e cila të premten festoi ditëlindjen e saj të 116, është konfirmuar tani si personi i dytë më i moshuar në botë. Por ajo është vetëm një nga 53 mijë njëqindvjeçarët e Shteteve të Bashkuara. Materiali në vazhdim na njeh me tre prej tyre për të mësuar se çfarë i motivon ata në jetë.

Për Marianne Arden, muzika është gjithçka.

"Nëse nuk mund të luaj më në piano, nuk dua të jetoj," thotë ajo.

Në moshën 101 vjeçare, amerikania e lindur në Austri ende luan në piano me të njëjtin entuziazëm si në kohën kur ishte e re dhe interpretonte në skena në të gjithë Amerikën.

"Luaja në piano këngët e kohës, pra më të preferuarat, por gjithashtu luaja dhe këndoja edhe disa nga këngët e mia," thotë zonja Arden.

Sot, ajo luan po ato këngë - të gjitha përmendësh - për miqtë dhe fqinjët e saj, një herë në javë, në një qendër të komunitetit pranë shtëpisë së saj në Maryland.

Ndërsa Madeline Brown ndjen gëzim kur është rreth njerëzve.

"Gjëja kryesore e jetës sime është: të bëj dikë të lumtur," thotë ajo.

Kohët e fundit ajo festoi ditëlindjen e saj të 100-të dhe mori dhe një urim personal nga Presidenti dhe zonja Obama.

Por sado që i pëlqejnë njerëzit, Madeline Brown nuk është martuar asnjëherë.

"Pse të martohem me një burrë dhe ta bëj të mjerë, kur mund të qëndroj vetëm dhe t'i bëj ata të gjithë të lumtur?" thotë ajo.

Por martesa ka funksionuar për George Boggess i cili, në moshën 102 vjeçare, ka mbi 70 vjet martesë me Dorothy-n.

"Nuk mendoj se do të mund të kisha jetuar pa të," thotë George Boggess.

Ai ia atribuon jetëgjatësinë e tij bashkëshortes dhe vlerave që mësoi kur u rrit në Teksas.

"Duhet të shkonim në kishë, duhet të shkonim në shkollë dhe duhet të punonim."

Tani ai e kalon shumicën e kohës së tij në këtë qendër mjekësore për veteranët dhe përmend një tjetër element të rëndësishëm të jetës së tij të gjatë:

"Mënyra se si i përjeton gjërat. Duhet të kesh mentalitetin më pozitiv ndaj çdo gjëje. Nuk mund të rrish duke shfryrë, i trishtuar, apo duke u ankuar, duke kritikuar."

Ky mentalitet e ndihmoi t’i mbijetojë Luftës së Dytë Botërore.

"Mendohej se ushtarët me ngjyrë nuk mund të ishin në të njëjtin nivel të ushtarëve të tjerë. Ajo që ne dëshmuam gjatë betejave ishte që ky supozim ishte i rremë. Ne qëndruam, luftuam, fituam."

Kjo pjesë e popullsisë amerikane e përbërë nga njëqindvjeçarët po zgjerohet me shpejtësi thotë Winnie Rossi, një eksperte e Institutit Kombëtar të Shëndetit.

Ajo ishte e përfshirë në një studim të sapo-publikuar që shqyrton pse disa njerëz jetojnë më gjatë se të tjerët dhe thotë se historia familjare ka ndikim:

"Hulumtuesit kanë vënë re gjatë viteve se vëllezërit dhe motrat e njëqindvjeçarëve kanë prirje të jetojnë gjatë dhe janë më të shëndetshëm në krahasim me njerëz të tjerë. E njëjta gjë ndodh me bijtë dhe bijat e tyre."

Dhe ky është ndoshta lajmi më i mirë për 53 mijë njëqindvjeçarët amerikanë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG