Lidhje

Njerëzit më të gjatë në botë

  • Zllatica Hoke

Burrat holandezë dhe gratë letoneze janë njerëzit më të gjatë në botë, ndërsa burrat e Timorit Lindor dhe gratë nga Guatemala janë njerëzit më të shkurtër të botës, sipas një studimi të ri. Studimi gjithëpërfshirës nën drejtimin e shkencëtarëve të Kolegjit Mbretëror të Londrës analizoi të dhënat për gjatësinë e të rinjve gjatë shekullit të kaluar dhe arriti në përfundimin se në vitet 1914 deri në 2014, në disa vende njerëzit janë bërë më të gjatë, ndërsa në disa vende të tjera mestarja e gjatësisë së tyre ka rënë.

Sipas studimit britanik, burrat holandezë kanë një gjatësi mesatare prej më tepër se 1 metër e 82 centimetra, ndërsa gratë letoneze 1 metër e 70 centimetra. Kjo është një rritje për të dyja vendet që nga viti 1914. Cila mund të jetë arsyeja?

"Ndoshta ngaqë hamë më shumë patate? Ndoshta ngaqë hamë më shumë bukë se të tjerët? Ne merremi shumë me sport. Ndoshta kjo është arsyeja përse zgjatemi më shumë,"- thotë Philip nga Holanda.

Shkencëtarët janë të të njëjtit mendim, se sporti ndikon tek gjatësia e trupit.

"Gratë zgjaten më shumë nga aktivitete sportive, sidomos kur merren me disa ushtrime të caktuara në periudhën e pubertetit, kur trupi është në rritje. Sporte si basketbolli, volejbolli dhe hendbolli ndihmojnë zgjatjen, pasi ushtrojnë shtrirje të muskujve".

Por sudjuesit thonë se rritja individuale varet kryesisht nga ushqyerja, nga faktorët mjedisorë, si dhe ata gjenetikë.

Gratë letoneze, tani më të gjatat në planetin tonë, ishin në në vend të 28, 100 vjet më parë.

"Unë jam mësuar me gjatësinë time dhe nuk i kushtoj vëmendje. Por djemve u pëlqejnë vajzat e gjata, pra është diçka e mirë."

10 vendet me burrat dhe gratë më të gjata në vitin 2014 ishin kryesisht në Europë, ku njerëzit janë zgjatur më shumë në dekadat e fundit, në saje të përmirësimit të ushqyerjes. Në shumë vende afrikane dhe të Lindjes së Mesme gjatësia e njerëzve është zvogëluar që nga viti 1914.

Shtetet e Bashkuara arritën në nivel të lartë rreth 20 vjet më parë dhe tani kanë rënë nga vendi i tretë për burrat dhe i katërti për gratë, në vendin e 37 për burrat dhe të 42-in për gratë.

Gazetari i Zërit të Amerikës Steve Baragona, i cili është 1 metër e 95, bie në sy në një turmë njerëzish në Shtetet e Bashkuara.

"Kur jam duke ecur në mes të një turme, e kam gjithmonë të lehtë ta dalloj të dashurën time, ngaqë jam më i gjatë se të tjerët. Nuk është gjë e keqe”.

Baragona sigurisht që do të dukej tepër i gjatë në Timorin Lindor, ku gjatësia mesatare e burrave është 1 metër e 60. Njerëzit më të shkurtër në botë janë në Jemen, Laos, Madagaskar dhe në disa vende të tjera aziatike dhe afrikane.

XS
SM
MD
LG