Lidhje

Nju Jork, policia arreston protestues, heq njerëzit e ngujuar nga parku

  • Zëri Amerikës

Nju Jork, policia arreston protestues, heq njerëzit e ngujuar nga parku

Nju Jork, policia arreston protestues, heq njerëzit e ngujuar nga parku

Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Majkëll Blumberg, tha se protestuesit e lëvizjes "Të pushtojmë Uoll Stritin" do të lejohen të kthehen në parkun Zuccotti por jo të sjellin me vete tenda dhe dyshekë portativë. Ai i bëri komentet sot, pas ndërhyrjes së policisë, e cila e pastroi parkun nga protestuesit në orët e para të mëngjesit. Kryebashkiaku tha se protestuesve iu kërkua të largoheshin nga parku, që ai të pastrohej. Zoti Bloomberg njoftoi se gati 200 veta ishin arrestuar gjatë ndërhyrjes së policisë në parkun i cili ishte shndëruar një një qytet të vogël tendash.

Rreth orës 1 të mëngjesit, policia e Nju Jorkut shpërndau një njoftim të bërë nga enti pronar i Parkut Zuccotti si dhe nga Bashkia e qytetit, ku thuhej se parku duhej pastruar për shkak se ishte bërë johigjienik dhe i rrezikshëm për shëndetin.
Protestuesve u tha se ata mund të ktheheshin pas disa orëve, por pa tenda dhe pa dyshekë portativë.

Një video e filmuar nga pjestarët e lëvizjes “Të pushtojmë Uoll Stritin”, tregon hyrjen e policisë me prozhektorë në kamp në përpjekje për të hequr prej andej protestuesit.

Kryebashkiaku i Nju Jorkut, Majkëll Blumberg, njoftoi se gati 200 veta ishin arrestuar, duke përfshirë një grup njerëzish të cilët ishin lidhur së bashku me zinxhirë. Një person u dërgua në spital për shkak të problemeve të frymëmarrjes.

Përleshjet midis policisë dhe protestuesve vazhduan edhe në rrugët e Manhattanit, ku policët u përpoqën të shpërndanin një grup demonstruesish.

Në njoftimin që iu shpërnda protestuesve thuhej se parku "paraqiste rrezik në rritje për shëndetin si dhe rrezik zjarri e për lagjen aty pranë.

Aty kërkohej heqja e tendave, dyshekëve portativë dhe sendeve të tjera të këtij lloji pasi prania e tyre në park ishte e ndaluar.

Protestuesit njoftuan në faqen e tyre në internet se kanë në plan të zhvillojnë të enjten një demonstratë të madhe për të paralizuar Uoll Stritin, me rastin e dy muajve që nga ngritja e kampit dhe fillimi i protestave, të cilat u bënë shkak për demonstrime të ngjashme në vend dhe kudo në botë.

Por kampe të tilla janë vënë në shënjestër të kritikave në të gjithë vendin pasi zyrtarët dhe banorët janë ankuar në lidhje me rreziqet shëndetësore që ato paraqesin si dhe për faktin që protestuesit kanë pushtuar parqe dhe hapësira të tjera publike.

XS
SM
MD
LG