Lidhje

Nju Jork: Mbyllet programi i përgjimit të myslimanëve

  • Adam Philips

Departamenti policor i qytetit të Nju Jorkut ka shpërbërë njësinë që përgjonte myslimanët në xhami dhe pika grumbullimi në komunitete.

Kjo njësi e organizuar në 2003, nën kryebashkiakun Michael Bloomberg, kishte si detyrë grumbullimin e të dhënave për plane të mundshme terroriste apo komplote të tjera.

Komuniteti i larmishëm mysliman i qytetit është ankuar prej kohësh për punën e kësaj njësie, duke ngritur argumentin se përgjimet përbëjnë shkelje të të drejtave kushtetuese dhe diskriminim mbi baza fetare dhe etnike.

Si shumë njujorkezë, Maimana Abdul-Hakim është e mendimit se sulmet e 11 shtatorit ishin një thirrje alarmi për shumë amerikanë dhe se ishte e nevojshme rritja e vigjilencës. Por kjo pjesëtare e Xhamisë së Vëllazërisë Myslimane në Harlem u trondit kur mësoi se xhamia e saj përgjohej nga Njësia Demografike e policisë së Nju Jorkut. Ajo shprehet e çliruar që kjo njësi tani nuk ekziston më:

"Kam jetuar këtu gjithë jetën dhe vij këtu në xhami së bashku me fëmijët. Ideja që na përgjonin më shqetësoi. Tani jam shumë e gëzuar”.

Abdul Sabir, pastrues i xhamisë, besimtar mysliman, po ashtu u gëzua nga lajmi:

“U ndjeva shumë i lehtësuar. Kanë filluar ta kuptojnë se jemi njerëz paqësorë. Nuk ka nevojë të na përgjojnë. Islami është fe e paqes. Jam shumë i çliruar”.

Ndjenja e mosbesimit ndaj komisionerit të policisë Raymond Kelly lidhur me programin e përgjimit është ngulur thellë në udhëheqjen e komunitetit mysliman në Nju Jork, thotë Imam Al Hajj Talib Abdur al Rashid, president i Këshillit Udhëheqës Islamik në Nju Jork:

"Shumë prej nesh në qytet jemi përpjekur gjatë viteve të zhvillojmë marrëdhënie të mira me departamentin e policisë. Shumë prej imamëve kanë shprehur se ndjehen të tradhëtuar, pasi kanë punuar me policinë dhe me ish-komisionerin Kelly dhe gjatë gjithë kësaj kohe ata përgjoheshin. Pra ekzistonte një frikë e madhe nga policia, e cila i kishte shfrytëzuar lidhjet që kishte për të penetruar në xhami. Siç dihet programi i përgjimit nuk rezultoi në asnjë të dhënë të vlefshme për zbulimin e komploteve”.


Megjithatë imami është i rezervuar në optimizëm. Ai thotë se shpërbërja e Njësisë Demokrafike ka treguar angazhimin e kryebashkiakut Bill de Blasio për të ndalur identifikimin në baza etnike, fetare apo racore:

"… Por çfarë politikash konkrete do të dalin nga kjo frymë e re? Ka një numër sfidash në përpjekjet për të dalë me politika të reja për shekullin XXI që garantojnë sigurinë publike në Nju Jork pa dhunuar të drejtat civile dhe njerëzore. Nuk është e lehtë, por politikanët paguhen për të zgjidhur probleme të vështira”.

Udhëheqësit e komunitetit mysliman, policia dhe zyra e kryebashkiakut janë zotuar të punojnë për të rritur besimin e ndërsjelltë, por aktivistët thonë se përparimi i vërtetë do të realizohet kur të dëshmohet me vepra se nuk ka më tentativa për të vënë në shënjestër banorë në bazë të përkatësisë fetare apo etnike.

Zyrtarët vazhdojnë të shprehin zotimin se do të bëjnë ç’është e mundur brenda ligjit për të mbrojtur njujorkezët nga terrorizmi.
XS
SM
MD
LG