Lidhje

Ndikimi i shkurtimeve buxhetore në Nju Jork


Askush në qytetin e Nju Jorkut nuk e di saktësisht se sa shërbimet sociale lokale do të vuajnë pasojat e shkurtimeve automatike të buxhetit federal që hyn në fuqi të premten e kaluar. Por është e sigurt se ndërsa shkurtimet federale do të vazhdojnë gjatë muajve të ardhshëm, kjo do të ndikojë në buxhetet e agjencive të shërbimeve sociale dhe private që ndihmojnë të varfërit. Korrespondenti Adam Phillips i Zërit të Amerikës njofton.

Shkurtimet automatike të shpenzimeve qeveritare u hartuan nga Kongresi për të pakësuar shpenzimet në pothuajse të gjithë zërat e buxhetit federal.Kur ato hynë në fuqi të premten e kaluar, qeveritë lokale dhe federale si dhe agjencitë e shërbimeve sociale të sektorit privat, që varen nga financimet federale, filluan të gjejnë rrugë për të përballuar humbjet.

“Nuk është gjë e mirë. Këtë e dime me siguri.”

David Ravel punon në Bordin Hebraik të Shërbimeve për Familjet dhe Fëmijët, agjenci që u shërben 30 mijë njujorkezëve cdo vit me këshilla, shërbime strehimi, transport për njerëzit me të meta mendore dhe edukimin për parandalimin e dhunës.

Ravel thotë se shumë klientë kanë nevojë për ndihmë në më shumë se një fushë dhe tensionimi në një aspekt të jetës mund të rrisë nevojën për ndihmë në një tjetër aspekt.

“Ka shumë njerëz që mbahen në fije të perit. Nëse e ndërpret sistemin e ndihmës në një drejtim do të kesh implikacione në drejtime të tjera. Përshembull një pakësim në ndihmën për strehim mund t’i cojë familjet në një krizë – ata mund të mbeten pa strehë; kjo mund të thotë që do të kenë më shumë nevojë për shërbime të kujdesit mendor.”

Shkurtimi i buxhetit mund të kërcënojë disa financime për Head Start, një program i njohur federal që paguan për programet e edukimit për fëmijët nga 3 deri në 5 vjec që jetojnë në ose poshtë nivelit të varfërisë.

Shkurtimet do të jenë vecanërisht katastrofike për fëmijët e qytetit të Nju Jorkut, thotë Nancy Wackstein me agjencinë United Neighborhood Houses of New York, një shoqatë që ka 38 qendra komuniteti dhe agjenci të shërbimeve sociale. Kjo, pasi buxheti për arsimin është shkurtuar ndjeshëm gjatë viteve të fundit.

“Mendoj se të gjithë në Shtetet e Bashkuara e kanë për detyrë të sigurojnë që fëmijët tanë arsimohen, diplomohen nga shkolla e mesme apo janë të suksesshëm në tregun global të punës. Kjo që po bëhet është si t’i presësh vetes gjunjët.”

Wackstein është e shqetësuar gjithashtu se njujorkezët varen tek financimet federale për t’u mëkëmbur nga uragani Sandy, që përmbyti zonat bregdetare tetorin e kaluar ku jetojnë shumë familje me të ardhura të ulta.

“Shumë komunitete ende po mëkëmben. Njerëzit jetojnë në qendra strehimi. Ka shumë njerëz që ishin në vështirësi përpara se të ndodhte uragani, ndërsa stuhia e vështirësojë gjendjen e tyre. Pra këto shkurtime vijnë në një kohë shumë të papërshtatshme.”

Programet e financuara nga qeveria federale që mund të prekin Nju Jorkun përfshijnë 1,5 milion dollarë në fonde për ushqim për të moshuarit, 5,7 milion dollarë për parandalimin dhe trajtimin e varësisë nga droga, dhe 12,9 milion dollarë për të nxitur cilësinë e ajrit dhe të ujit. Ka edhe gati 12 mijë punonjës të Departamentit të Mbrojtjes në zonën e Nju Jorkut që mund të humbasin një pjesë të të ardhurave të tyre për shkak të shkurtimeve.
XS
SM
MD
LG