Lidhje

Siguria në Nju Jork gjatë zgjedhjeve


Dy kandidatët Hillary Clinton dhe Donald Trump, do të jenë në Nju Jork natën e zgjedhjeve, dhe autoritetet policore po përgatiten t’u ofrojnë atyre sigurinë e duhur. Qyteti vetë është i mbushur plot, me pjesëmarrës të maratonës së Nju Jorkut, mbështetës të kandidatëve dhe grupet që presin rezultatin e zgjedhjeve. E gjithë kjo vjen ndërsa mësohet se agjencitë e zbulimit kanë kapur sinjale për një rrezik të mundshëm terrorist nga al Kaida.

Përkrahësit e zonjës Clinton në qytetin e Nju Jorkut po bëjnë telefonatat e fundit për të bindur të pavendosurit para zgjedhjeve, në shtetetku rezultati është i pasigurt. Dhe shumë sondazhe tregojnë se gara po ngushtohet mes republikanit Trump dhe demokrates Clinton.

“E ndjej ngutin tani” thotë një mbështetës i zonjës Clinton.

Jashtë, maratonomakë në qytet kaluan vijën e finishit, dhe mijëra e policë ishin në gatishmëri. Zyrtarë të zbulimit amerikane thanë se ka informacion rreth një sulmi të mundshëm ditën e zgjedhjeve ose para tyre, në shtetet e Virxhinias, Teksasit dhe Nju Jorkut.

Nuk kishte informacion specifik, por zyrtarët në Nju Jork, gjithmonë në gatishmëri, e marrin seriozisht.

Carolyn Maloney është një ligjvënëse që përfaqëson Nju Jorkun.

“Asnjë nuk di të përgatitet më mirë se sa Nju Jorku. Ne e kemi treguar veten më 11 shtator, e tregojmë çdo ditë dhe do ta bëjmë sërish ditën e zgjedhjeve” tha ajo.

Rreziku është i një rëndësie të veçantë për qytetin e Nju Jorkut, ngaqë të dy kandidatët për president do të jenë aty mbrëmjen e së martës. Zonja Clinton do të jetë në një qendër panairesh me një tavan qelqi dhe zoti Trump në një hotel disa minuta nga shtëpia e tij në kullën Trump. Anand Ahuja është një mbështetës Trump.

“Gjithkush është i shqetësuar jo vetëm për sigurinë e tyre, por edhe për atë të kandidatëve për president” tha ai.

Nesër është dita e zgjedhjeve dhe zyrtarët premtojnë se do të mundin çdo përpjekje që ndërhyn me mbarëvajtjen e demokracisë.

XS
SM
MD
LG