Lidhje

Nju Jork: Vazhdojnë debatet mbi ndërtimin e Qendrës Islamike


Vendi ku planifikohet ndërtimi i xhamisë është rreth 200 metra larg kuotës zero, aty ku më parë ngriheshin dy kullat binjake të Qendrës Botërore të Tregëtisë, dy ndërtesat më të larta të Nju Jorkut. Një grup amerikan mysliman i sektit sufi, ka blerë pronën afër kuotës zero për të ndërtuar një qendër islamike, që do të përfshijë një sallë të madhe, pishinë, dhe një xhami.

Këta kritikë nuk duan të japin intervista para kamerave, por i paralajmërojnë kalimtarët se të dashurit e tyre mund të vriten nga një sulm tjetër terrorist i myslimanëve ndaj amerikanëve. Disa kundërshtarë e madje e quajnë propozimin si “xhamia e kuotës zero.”

Artistja Rita Balmina, një imigrante nga Odesa e Ukrainës, thotë se ajo ishte aty më 11 shtator dhe beson se sulmet e asaj dite janë kryer në emër të fesë islame. Zonja Balmina e kupton të drejtën e myslimanëve për ndërtimin e xhamive kudo në Shtetet e Bashkuara, por ajo thotë se xhamia nuk duhet ndërtuar afër vendit që shumë amerikanë e cilësojnë si vend të shenjtë.

“Kam frikë se ndërtimi i një xhamie në këtë vend do të bëhet simbol i njerëzve të cilët kanë kryer sulmet terroriste, megjithëse unë hezitoj t’i quaj ata njerëz. Dhe ata që do të ndjekin shërbimet fetare këtu mund të jenë simpatizantë të pikëpamjeve ekstremiste.”

Një Nju Jorkez lexon vargjet e Kuranit për të treguar mbështetjen e tij për ndërtimin e xhamisë. Ai gjithashtu e mbron të drejtën kushtetuese të Amerikanëve për t’u lutur në paqe kudo që ata dëshirojnë.

Mbështetësi Matt Sky, i cili merret me shkrime dhe ndërtimin e faqeve të internetit, thotë se emocionet e 11 shtatorit dhe afërsia e qendrës islamike me kuotën zero është një sfidë për parimet amerikane.

“Si gjithë të tjerët edhe unë ndjej keqardhje për ata që kanë vdekur, por kjo nuk do të thotë se ne duhet t’i shkatërrojmë vlerat e vendit tonë. Kur i dërgojmë ushtarët në luftë, ata duhet të luftojnë për liritë tona, lirinë e fesë, lirinë e shtypit dhe lirinë e fjalës. Njerëzit të cilët nuk duan ta lejojnë ndërtimin e kësaj qendre janë thjesht kundër lirisë së fesë.”

Shumica e njerëzve të cilët jetojnë në lagjen rreth kuotës zero mbështesin ndërtimin e qendrës islamike, megjithëse shumica e amerikanëve janë kundër kësaj. Por një anketë e fundit e opinionit publik e zhvilluar në shtetin e Nju Jorkut tregon se shumica e kundërshtarëve e dinë se projekti i qendrës islamike është i mbrojtur nga kushtetuta, pavarësisht nga kundërshtimet e tyre.

XS
SM
MD
LG