Lidhje

Nju Jork: Vazhdon gjyqi i Viktor Butit, i akuzuar për trafikim armësh


Nju Jork: Vazhdon gjyqi i Viktor Butit, i akuzuar për trafikim armësh
Nju Jork: Vazhdon gjyqi i Viktor Butit, i akuzuar për trafikim armësh

Gjyqi i ish oficerit të forcave ajrore sovjetike, i akuzuar për trafikim armësh në botë, Viktor Buti, po zhvillohet në New York. Ai njihet nga ekspertët e sigurimit edhe me nofkën “tregëtari i vdekjes”.

Policia në Tailandë e arrestoi afaristin rus Viktor Buti në vitin 2008. Në hapje të gjyqit në New York prokuroria dhe avokatët mbrojtës i bënë një portretizim shumë të ndryshëm ish oficerit të ushtrisë sovjetike.

Buti akuzohet për konspiracion në shitjen e mijëra armëve, përfshirë raketa tokë-ajër, lëndë shpërthyese dhe granada.

Prokurori federal Brendan McGuire tha në gjyq se Buti veproi me shpejtësi për të mos humbur mundësinë që t’i shiste miliona armë grupit rebel kolumbian FARC, të cilat ai besonte se do të përdoreshin pjesërisht për të rrëzuar helikopterë amerikanë. Zoti McGuire e akuzoi Viktor Butin të kishte thënë se amerikanët ishin edhe armiqtë e tij.

Agjenti federal William S. Brown dëshmoi se Buti u arrestua në Tailandë pasi ai u takua me agjentë të fshehtë që hiqeshin si anëtarë të grupit FARC, të cilën Shtetet e Bashkuara e kanë shpallur organizatë terroriste.

Buti thotë se është i pafajshëm dhe se kishte rënë kurth. Ai u ekstradua në Shtetet e Bashkuara pas një beteje të gjatë ligjore.

Avokati i Viktor Butit, Albert Dayan, tha në gjyq se klienti i tij ishte tërhequr në takim me shpresë për të shitur dy avionë mallrash, pronë e tij. Avokati Dayan tha se Buti nuk ka qënë kurrë trafikant armësh, por thjesht një transportues. Sipas avokatit, ai premtoi të përfshinte armë për të shtuar shanset e shitjes së aeroplanëve.

Douglas Farah është bashkë-autor i librit me titull Tregëtari i Vdekjes, i cili ndihmoi që Buti të tërhiqte vemendje më të madhe. Ai thotë se Viktor Buti ishte trafikanti më i sukseshëm i armëve ilegale, madje shpesh ai u shiste armë të dyja palëve të konfliktit afrikan në vitet 1990-të.

Armët kanë nxitur luftrat nëpër Afrikë, dhe më pas në Afganistan dhe në Amerikën Latine e gjetkë. Ajo që është historike rreth arrestimit të tij është fakti që për herë të parë, veçanërisht agjencia e parandalimit të drogave u vu në ndjekje të dikujt që kishte lidhje me narkotikët, por në thelb u akuzua për shkelje të embargos së armëve si dhe të të drejtave të njeriut, që rridhnin nga shitja e këtyre armëve”.

Një rezolutë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së në vitin 2004 u kërkonte vendeve anëtare që t’i refuzonin Viktor Butit tranzitin dhe të bllokonin pasuritë e tij. Kathi Austin punon për rrjetin mbi vetëdijen e konflikteve, një grup që ka ndjekur veprimtaritë e Viktor Butit për një kohë të gjatë.

“Viktor Buti në fakt ka trafikuar armë edhe më parë në zona konflikti, ka shkelur ligjin amerikan, ai është marrë me trafiqe dhe ka shkelur edhe ligje të tjera si dhe sanksione të Kombeve të Bashkuara dhe pikërisht kjo është alarmante për mua. Viktor Buti nuk po mbahet përgjegjës për këto krime, ku faktikisht ka pasur viktima”.

Bashkëshortja e Butit, Alla, foli me gazetarët pas hapjes së gjyqit. E pyetur nëse burri i saj ishte përgjegjës për krimet që akuzohet, ajo e cilësoi atë si një afarist shumë të talentuar.

“Ai mund të bëjë kompromis mbi disa çështje. Nuk mund të gjykoj se çfarë ndodhi në këtë rast, por unë e njoh atë shumë mirë dhe nga pikpamja morale, akuzat janë absurde”.

Viktor Buti mund të dënohet me burgim të përjetshëm, nëse gjendet fajtor për 4 akuzat e ngritura kundër tij, përfshirë konspiracion për të vrarë amerikanë dhe mbështetje materiale për një organizatë terroriste.


XS
SM
MD
LG