Lidhje

Nju Jorku në 100 vjetorin e Nënë Terezës

  • Ilir Ikonomi

Nju Jorku në 100 vjetorin e Nënë Terezës

Nju Jorku në 100 vjetorin e Nënë Terezës

Në qytetin e Nju Jorkut pritet të zhvillohet një tubim pranë ndërtesës Empire State, një ndër më të famshmet e botës, për të protestuar kundër vendimit të pronarëve për të mos i ndezur dritat bardhë e blu në përkujtim të 100-vjetorit të Nënë Terezës. Një zyrtar i lartë i qytetit i tha Zërit të Amerikës se personalisht ai ndihet i fyer me vendimin e pronarëve por shtoi se njerëzit do të gjejnë forma të tjera për të shprehur respektin ndaj Nënë Terezës.


Nga zyra e tij në Këshillin Bashkiak të Nju Jorkut James Vacca mund të shijojë pamjen madhështore të disa prej ndërtesave të larta të qytetit.

Por atij i vjen keq që njëra prej këtyre ndërtesave, Empire State, sonte nuk do t'i ndricojë katet e saj të sipërme me ngjyrat bardhë e blu për nder të 100-vjetorit të lindjes së Nënë Terezës.

Zoti Vacca, anëtar i Këshillit Bashkiak thotë se pengesa është Anthony Malkin, pronari i kompanisë që administron ndërtesën prandaj ai ndihet i fyer.

“Mendoj se zoti Malkin, pronari i ndërtesës Empire State ende ka kohë. Mendoj se refuzimi i tij është i gabuar. Kjo është skandaloze dhe ai na ka borxh një shpjegim se përse refuzon t'i ndezë dritat. Zoti Malkin duhet t'i ndezë dritat për Nënë Terezën sepse i ka ndezur për shumë arsye të tjera. Ai e ka ndricuar ndërtesën për nder të Kinës komuniste, për nder të yjeve të muzikës si Mariah Carrie. S'ka gjë, le t'i nderojë yjet e muzikës. Por askush prej tyre nuk mund të barazohet me Nënë Terezën.”

Zoti Vacca i ka dërguar kompanisë një promemorie dhe është ndër organizatorët e një proteste që do të zhvillohet sonte në qytetin e Nju Jorkut.

Një nga arsyet që jep Empire State për mosndezjen e dritave është se praktika e tyre përjashton figurat politike dhe fetare. Por zoti Vacca nuk mendon se Nënë Tereza bën pjesë në këtë kategori:

“Unë nuk e konsideroj Nënë Terezën një personalitet politik dhe mendoj se ajo i kapërcen kufijtë e fesë. Nënë Tereza është e njohur në shkallë ndërkombëtare për punën e saj përtej linjave fetare. Ajo u ka shërbyer të varfërve, njerëzve në vendet e pazhvilluar, ajo sakrifikoi shëndetin e saj në shumë raste. Nuk besoj se Nënë Tereza kishte parasysh se cfare feje u përkisnin njerëzit para se të zgjaste dorën për të ndihmuar. Prandaj unë nuk i pranoj këto si arsye për të mos ndezuar dritat e ndërtesës Empire State.”

Një grup shqiptarësh të Nju Jorkut janë zotuar të përpiqen bashkë me zotin Vacca.

Esad Rizai është Kryetar i Shoqërisë Shqiptaro-Amerikane. Së bashku me anëtarin e Këshillit të Qytetit dhe të tjerë Zoti Rizai është një ndër njerëzit të cilët bënë të mundur që një rruge në Bronks të Nju Jorkut t'i vihej emri Nënë Tereza.

Për sot, organizata të ndryshme të qytetit kanë gjetur mënyra alternative për të nderuar Nënë Terezën.

Në aeroplanmbajtësen e Luftës së Dytë Botërore INTREPID të ekspozuar në muzeumin në natyrë me të njëjtin emër në Lumin Hudson, dritat do të ndizen sonte me ngjyra bardhë e blu në kujtim të Nënë Terezës.

Zoti Vacca thotë se pronarët e një ndërtese në komunitetin e tij ku ka shumë shqiptarë e që ndodhet pranë një autostrade kryesore kanë rënë dakord ta ndricojnë atë për nder të Nënë Terezës.

Ai thotë se Nënë Tereza është mjaft e njohur në Nju Jork. Por ai do të dëshironte që edhe brezi i ri të dijë kush është ajo.

“Mendoj se duke i vënë një rruge emrin e saj dhe duke e quajtur ditën e sotme një ditë sakrifice në distriktin tim, ku ne u bëjmë thirrje njerëzve të dërgojnë ushqime në shtëpitë e bamirësisë, këto gjëra do t'i bëjnë të rinjtë të kuptojnë kontributin dhe ndikimin e madh të Nënë Terezës.”

XS
SM
MD
LG