Lidhje

Nju Meksiko: Zjarret vazhdojnë të përhapen pranë laboratorit bërthamor të Los Alamos


Nju Meksiko: Zjarret vazhdojnë të përhapen pranë laboratorit bërthamor të Los Alamos
Nju Meksiko: Zjarret vazhdojnë të përhapen pranë laboratorit bërthamor të Los Alamos

Në Shtetet e Bashkuara zjarrfikësit vazhdojnë përpjekjet për të mos lejuar që flakët të arrijnë në laboratorin kryesor të armëve bërthamore dhe komunitetin përreth Los Alamos në shtetin e Nju Meksikos. Zjarrëfikësit po djegin bimësinë në zonën perëndimore dhe jugore të laboratorit për të penguar zjarret e mëdha të afrohen deri aty.

Sipërfaqja e zjarrit ka arritur në 201 kilometra katrorë. Zyrtarët thonë se 13 shtëpi janë djegur plotësisht deri tani, ndërsa tre të tjera janë dëmtuar.

“Po përpiqemi të ndalim zjarrin dhe të mbrojmë grykën e Los Anxhelosit për të mos e lejuar zjarrin të hyjë aty.”

Shtëllungat që mund të shihen nga qyteti Albakërk gati 100 kilometra larg i kanë shqetësuar njerëzit. Reja e tymit ka arritur thuajse deri në Kansas.

“Jemi në mëshirë të erërave dhe sot ato duken se do të jenë të forta. Ditët e tjera gjendja mund të jetë pak më mirë.”

Qeveria ka dërguar një aeroplan të pajisur me monitorë radioaktivë mbi laboratorin dhe ka pezulluar eksperimentet shkencore për disa ditë.

Autoritetet e laboratorit shprehën besimin se zjarret nuk do të shkaktojnë përhapjen e materialit radioaktiv siç druhen disa nga komunitetet aty rrotull.

Zyrtarët thanë se mostrat e testuara para dy ditësh nuk tregonin asgjë jonormale.

Grupet kundër energjisë bërthamore kanë dhënë alarmin për disa mbetje bërthamore me gradë të ulët që ndodhen tre kilometra larg zjarrieve. Por zyrtarët e laboratorit thonë se nuk ka të ngjarë që flakët të arrijnë deri aty, dhe nëse do të jetë e nevojshme, kontejnierët prej çeliku mund të spërkaten me shkumë rezistente ndaj zjarrit.

XS
SM
MD
LG