Lidhje

Nju Orlinsi kremton sot Mardi Granë, në vigjilje të stinës së Kreshmave


Nju Orlinsi kremton sot Mardi Granë, në vigjilje të stinës së Kreshmave
Nju Orlinsi kremton sot Mardi Granë, në vigjilje të stinës së Kreshmave

Sot do të ndërpritet puna në qytetin e Nju Orlinsit. Nuk është kjo pasojë e ndonjë krize buxhetore apo trazirash. Është dita kur tradicionalisht mbahet nëpër rrugë një aheng, më i madhi në Amerikë.

Sot është Mardi Gra, apo përkthyer nga frëngjishtja e marta e majme, një ditë festimesh të shumta e të papërmbajtura në vigjilje të së mërkurës së zezë, kur për besimtarët e krishterë fillon periudha e Kreshmave, që vazhdon deri Ditën e Pashkëve.

Sot janë të mbyllura bankat, postat, gjykatat dhe çdo shërbim publik përveç policisë dhe zjarrfikësve. Por rrugët do të jenë të mbushura me ahengxhinj, përfshirë qindra e mijëra turistë nga mbarë vendi dhe bota si dhe vizitorë nga qytetet përreth të rajonit të Gjirit të Meksikës. Thuhet se mbi një milion njerëz morën pjesë në kremtimet e Mardi Grasë në vitin 2005, pak muaj para se uragani Katrina të shkatërronte pjesën më të madhe të qytetit. U desh një kohë e gjatë, por tani Nju Orlinsi është përsëri në gjendje të përballojë po aq shumë njerëz.

Si gjithmonë, do të ketë ekipe që do të organizojnë parada nëpër rrugë për nder të Mardi Grasë. Anëtarët e ekipeve vishen me kostume luksoze, vënë maska dhe hedhin rruaza e monedha nga platforma të zbukuruara që tërhiqen nga traktorët përmes turmave.

Platformat nuk lejohen në rrugët e ngushta të lagjes historike franceze. Por ahengu që zgjat gjithë ditën është edhe më i zjarrtë në atë pjesë të Nju Orlinsit. Gara për kostume pompoze dhe të sharat mes kremtuesve në ballkonët e hekurt dhe atyre poshtë në rrugë janë flakëruese por shpeshherë edhe të pahijshme.

“Harroi hallet për Mardi Gra. Le t’ua pastrojë shpirtin muzika”, shkruante kompozitori Pol Sajmon. Gjithë festimet dhe fantazia janë një arsye pse Nju Orlinsi e quan veten “qyteti që e harroi kujdesi”.

XS
SM
MD
LG