Lidhje

Çmimi Nobel për Paqen


Malala Yousafzai nga Pakistani dhe Kailash Satyarthi nga India e fituan çmimin për luftën e tyre kundër shtypjes së fëmijëve dhe të rinjve

Një adoleshtente pakistaneze dhe një aktivist indian për të drejtat e fëmijëve janë fituesit e Çmimit Nobel të Paqes për vitin 2014. Komiteti Nobel tha se ishte e rëndësishme që një hindu dhe një muslimane, një indian dhe një pakistaneze, i kishte bashkuar lufta e përbashkët për edukimin dhe kundër ekstremizmit.

"Zonja dhe zotërinj, Komiteti norvegjez ka vendosur që Çmimi Nobel i Paqes për vitin 2014 t'i jepet Kailash Satyarthit dhe Malala Yousafzait," tha kryetari i Komitetit Nobel, Thorbjoern Jagland, në një konference shtypi në kryeqytetin norvegjez Oslo.

Zoti Jagland tha se dy fituesit ishin zgjedhur për luftën e tyre kundër shtypjes së fëmijëve dhe të rinjve, dhe për të drejtën e të gjithë fëmijëve për t'u arsimuar.

Malala Yousafzai u qëllua në kokë nga talebanët në vitin 2012 sepse mbronte të drejtën e vajzave për t'u arsimuar.

Sot, 17 vjeçarja Malala u bë fituesja më e re e çmimit Nobel në histori.

"Pavarësisht rinisë së saj, Malala Yousafzai ka lufton prej disa vitesh për të drejtën e vajzave në arsim dhe ka treguar me shembullin e saj se edhe fëmijët e të rinjtë mund të kontribuojnë në përmirësimin e gjendjes së tyre. Këtë, ajo e ka bërë në rrethana jashtëzakonisht të rrezikshme. Nëpërmjet luftës së saj heroike, ajo është bërë një zëdhënëse kryesore për të drejtat e vajzave në arsim", tha zoti Jagland.

Malala Yousafzai u sulmua në vitin 2012 në një autobus shkolle në luginën Swat në veriperëndim të Pakistanit nga persona të armatosur e të maskuar si ndëshkim për një blog që ajo kishte filluar të shkruante për shërbimin Urdu të BBC-së. Ajo ishte 11-vjeç dhe bënte fushatë kundër përpjekjeve të talebanëve për t'u mohuar grave arsimimin.

Pas shërimit, në pamundësi për t'u kthyer në Pakistan, ajo u vendos në Britani, ku ngriti Fondacionin Malala.

Duke iu referuar fituesit tjetër të Nobelit, Satyarthi, Komiteti Nobel tha se ishte e rëndësishme që një person hindu dhe një muslimane, një indian dhe një pakistaneze, i kishte bashkuar lufta për edukimin dhe kundër ekstremizmit.

"Duke treguar guxim të madh dhe duke ruajtur traditën e Gandit, Kailash Satyarthi ka mbajtur forma të ndryshme protestash dhe demonstratash paqësore kundër shfrytëzimit të grave dhe fëmijëve për përfitime financiare," tha zoti Jagland.

60-vjeçari Satyarthi ka ndihmuar edhe në hartimin e dokumenteve të rëndësishme ndërkombëtare për të drejtat e fëmijëve.

Çmimi, me vlerë rreth 1.1 milionë dollarë do të jepet në Oslo më 10 dhjetor, në përvjetorin e vdekjes së industrialistit suedez Alfred Nobel, i cili e themeloi çmimin në vitin 1895 si pjesë e testamentit të tij.

XS
SM
MD
LG