Lidhje

Antonio Guterres emërohet Sekretar i Përgjithshëm i OKB-së


Këshilli i Sigurimit i OKB-së votoi sot njëzëri për zgjedhjen e Sekretarit të ri të Përgjithshëm të OKB-së. Emri i politikanit dhe diplomatit Antonio Guterres u propozua dje nga shumica e 15-të vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit.

67-vjeçari Guterres ishte kryeministër i Portugalisë në periudhën 1992-2002, si dhe drejtues nga viti 2005 i agjensisë së OKB-së për refugjatët.

"Ndjej mirënjohje dhe përulësi - deklaroi Antonio Guterres pas emërimit si Sekretar i ri i Përgjithshëm i OKB-së. "Mirënjohje para së gjithash në lidhje me anëtarët e Këshillit të Sigurimit për besimin që kanë shprehur, por edhe për Asamblenë e Përgjithshme dhe për të gjitha vendet anëtare, shtetet që kanë vendosur për një proces shembullor të transparencës dhe hapjes."

Gjatë një interviste për Zërin e Amerikës, zoti Guterres tha se kandidonte për postin më të lartë të OKB-së pasi dëshiron të krijojë kushtet e duhura për zgjidhjen e sfidave globale.

Pas votimit të sotshëm, Këshilli i Sigurimit do t’ia dërgojë për miratim rekomandimin e tij Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, të përbërë nga 193 vende anëtare.

Zoti Guterres do të marrë detyrën në 1 janar 2017, nga Sekretari i Përgjithshëm aktual, Ban Ki-moon.

XS
SM
MD
LG