Lidhje

Pheniani mund të ketë urdhëruar vrasjen e Kim Jong Namit


Policia në Malajzi thotë se ka arrestuar një grua në lidhje me vrasjen e vëllait nga babai të udhëheqësit koreano-verior Kim Jong Un.

Gruaja që u ndalua të mërkurën në mëngjes në Aeroportin Ndërkombëtar të Kuala Lumpurit në kryeqytetin malajzian, ishte identifikuar në dokumentat e udhëtimit si Doan Thi Huong, tha policia në një deklaratë. Në deklaratë thuhej gjithashtu se e dyshuara “ishte identifikuar nga pamjet e kamerave të sigurisë në aeroport dhe ishte vetëm në momentin e arrestimit”.

Të mërkurën, Koreja e Jugut konfirmoi se viktima ishte Kim Jong Nam, vëllai nga babai i udhëheqësit koreano-verior, që dikur mendohej se mund të bëhej kreu i shtetit, por marrëdhëniet e të cilit me të atin Kim Jong Il u prishën, pasi ai u përpoq të hynte në Japoni me një pasaportë fallso për të vizituar Disneyland-in e Tokjos, në vitin 2001.

“Duket se me siguri personi që është vrarë, është Kim Jong Nam,” tha Jeong Joon-hee, zëdhënësi i Ministrisë Koreano-Jugore të Bashkimit.

Hetimi

Një raport i policisë malajziane që doli të martën, konfirmonte se koreano-veriori 46 vjeçar, që po udhëtonte me një pasaportë nën emrin Kim Chol, vdiq ndërsa po dërgohej në spital, pasi kishte kërkuar ndihmë mjekësore në aeroportin ndërkombëtar të Kuala Lumpurit. Destinacioni i tij ishte Macau, ku ai jetonte, tha policia malajziane.

Të martën, burime të paidentifikuara të qeverisë amerikane thanë se Shtetet e Bashkuara, besojnë se Kim Jong Nam ishte vrarë nga agjentë koreano-veriorë.

Shërbimi Kombëtar Koreano-Jugor i Zbulimit, konfirmoi të mërkurën se Kim Jong Nam ishte helmuar nga dy gra që mendohet të jenë agjente të Koresë së Veriut dhe se ishte helmuar me me një lëndë të lëngshme toksike të paidentifikuar.

Policia malajaziane që po hetonte sulmin tha se shkaku i vdekjes së Kimit nuk dihej ende. Trupi i tij u dërgua të mërkurën në një spital tjetër, ku po i bëhej autopia. Burime nga policia thanë se në spital ndodheshin edhe zyrtarë të ambasadës së Koresë së Veriut dhe po koordinoheshin me autoritetet lokale.

Motivi

Ka spekullime të shumta se vdekja e Kim Jong Namit ishte urdhëruar nga zyrtarë të lartë të Phenianit dhe madje ka shumë gjasa që urdhri të kishte ardhur nga Kim Jong Un.

“Nëse vërtetohet se vdekja e Kim Jong Namit është kryer nga qeveria koreano-veriore, do të jetë një tregues i brutalitetit dhe mizorisë së regjimit të Kim Jong Unit,” tha presidenti në detyrë dhe kryeministri i Koresë së Jugut, Hwang Kyo-ahn.

Sipas njoftimeve, Kim Jong Nam konsiderohej një kërcënim për regjimin e të vëllait për shkak të kritikave të hapura ndaj praktivave shtypëse dhe autoritare të vendit, dhe sepse kishte spekullime se presidenti kinez Xi Jinping do të preferonte që ai të zëvendësontë vëllain më të vogël, si udhëheqës i Koresë së Veriut.

Agjencia koreano-jugore e zbulimit thotë se Kim Jong Un kishte nxjerrë urdhër për vrasjen e të vëllait dhe se kishte pasur një përpjekje të dështuar për një gjë të tillë në vitin 2012. Kim Jong Nam kishte jetuar nën mbrojtjen e Pekinitr me gruan e tij të dytë në territorin kinez të Macaut.

Nëse konfirmohet, vrasja e urdhëruar e vëllait të Kim Jong Unit, mund ta izolojë edhe më shumë udhëheqjen e Phenianit që aktualisht po vuan pasojat e sanksioneve të ashpra për zhvillimin e armëve bërthamore dhe për shkeljet e shumta të të drejtave të njeriut.

XS
SM
MD
LG