Lidhje

Koreja e Veriut ndërpret lidhjet e fundit me Seulin


Koreja e Veriut njoftoi se do të tërheqë më shumë se 50 mijë punonjësit e saj nga kompleksi i përbashkët industrial me Korenë e Jugut, Kaesong, duke ndërprerë kështu lidhjet e fundit me Seulin.

Kim Yang Gon, një zyrtar i lartë i partisë në pushtet, i tha agjencisë qëndrore koreanoveriore të lajmeve sot, se të gjitha operacionet në këtë kompleks do të pezullohen ndërsa zyrtarët vendosin nëse se do ta rihapin, ose do ta mbyllin atë përgjithmonë.

Ky vendim pason mesazhet kontradiktore të lëshuara sot nga Seuli paradite rreth mundësisë së përgatitjes së Veriut për një provë të katërt bërthamore.

Ministri i Bashkimit Ryoo Kihl-jae u tha deputetëve se ka shenja aktiviteti në qendrën Punggye-ri. Më pas ministri jugkorean i Mbrojtjes tha se nuk kishte prova të tilla.

Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-moon, që vetë është koreanojugor, i bëri thirrje Koresë së Veriut të mos bëjë “provokime të mëtejshme”. Duke folur nga Haga, zoti Ban tha se një provë e katërt bërthamore do të shkelte rezolutat e Këshillit të Sigurimit.
XS
SM
MD
LG