Lidhje

Pheniani, thirrje të huajve të largohen nga Koreja e Jugut


Koreja e Veriut u bëri thirrje shtetasve të huaj të largohen nga Koreja e Jugut për t'iu shmangur një konflikti të mundshëm ushtarak, një tjetër kërcënim ky për luftë në gadishullin korean.

Agjencia zyrtare e lajmeve e Veriut publikoi sot një deklaratë të Komitetit të Paqes në Azi Paqësor, ku i bëhet thirrje turistëve të huaj të “marrin masa evakuimi nga Seuli dhe Korea e Jugut për sigurinë e tyre”.

Koreja e Veriut bëri paralajmërime të ngjashme javën e kaluar për ambasadat e huaja në Phenian.

Ndërkohë, punonjësit koreanoveriorë nuk u paraqitën në punë sot në zonën e përbashkët industriale Kaesong me Korenë e Jugut, pasi Pheniani pezulloi operacionet në këtë zonë.

Presidentja koreanojugore Park Geun-hye tha se vendimi i Phenianit të hënën për tërheqjen e më shumë se 50 mijë punonjësve nga zona do të dëmtojë kredibilitetin e Veriut në botë si një vend ku mund të bëhet biznes.
XS
SM
MD
LG