Lidhje

SHBA shqyrtojnë sanksionet ndaj Phenianit


Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë vendosjen e sanksioneve të njëanshme kundër Koresë së Veriut pas provës së pestë dhe më të madhe bërthamore të Phenianit. Duke folur sot në Tokio, përfaqësuesi i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për politikat ndaj Koresë së Veriut, Sung Kim tha se "përveç veprimeve të Këshillit të Sigurimit, Shtetet e Bashkuara dhe Japonia, së bashku me Korenë e Jugut do të shqyrtojnë ndërmarrjen e sanksioneve të njëanshme, dypalëshe dhe trepalëshe". Ai nuk dha hollësi mbi masat që do të ndërmerren.

Zoti Kim i bëri komentet pas takimit me zyrtarët e ministrisë së jashtme japoneze, duke i quajtur veprimet e Phenianit "destabilizuese".

Disa orë më vonë, Koreja e Veriut i quajti “qesharake” përpjekjet për zgjerimin e sanksioneve, dhe u zotua se do të forconte programin e vet bërthamor. Në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme të Koresë së Veriut, thuhet se Pheniani do të punojë për të rritur “cilësinë dhe sasinë” e forcës së tij bërthamore." Koreja e Veriut thotë se ka nevojë për një program të fortë të armëve bërthamore për të mbrojtur veten nga agresioni i Shteteve të Bashkuara. Sipas njoftimeve, Koreja e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara kanë filluar kërkimet për gjetjen e materialeve radioaktive pas provës bërthamore të Phenianit. Ekipi hetues do të mbledhë mostra të ajrit dhe ujit për të parë nëse ka dëshmi të pranisë së materialeve radioaktive si ksenon, njoftoi agjencia koreano-jugore e lajmeve, Yonhap.

XS
SM
MD
LG