Lidhje

Koreja e Veriut dënon një student amerikan për "subversion"


Koreja Veriore dënoi me 15 vjet burg me punë të rëndë, një student amerikan nën akuzat për "krime kundër shtetit".

Otto Warmbier, u arrestua në Korenë e Veriut në muajin janar, derisa ai po largohej nga vendi pas një vizite në grup.

Gjatë një paraqitjeje para një grupi gazetarësh vendas e të huaj në Fenian muajin e kaluar, studenti 21 vjeçar i Universitetit të Virxhinias, pranoi të ketë hequr një slogan politik nga pjesa e rezervuar vetëm për personelin, në hotelin ku po qëndronte grupi.

Warmbier tha se nëna e një mikut të tij i kishte ofruar një makinë të përdorur me vlerë prej 10 mijë dollarësh në shkëmbim të sloganit, të cilin ajo donte ta varte si "trofe" në kishën e saj. Ajo i kishte thënë Warmbierit që nëse kapet, e ëma e tij do të marrë 200 mijë dollarë.

Koreja e Veriut ka arrestuar shpesh amerikanë dhe qytetarë të tjerë të huaj nën akuza të sajuara. Të arrestuarit zakonisht nxirren para gazetarëve të huaj për të lexuar deklarata me të cilat pranojnë "krimet e kryera" kundër regjimit diktatorial. Deklaratat vlerësohen gjerësisht si të detyrueshme dhe të arrestuarit shpesh i kanë mohuar ato pas lirimit.

XS
SM
MD
LG