Lidhje

KS dënon nisjen e raketës nga Pheniani


Koreja e Veriut lëshoi një raketë që duket se arriti në orbitë

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka dënuar nisjen e raketës nga Koreja e Veriut, duke e quajtur atë një shkelje të hapur të rezolutave të OKB-së që e ndalojnë Penihanin të nisë raketa ose të kryejë teste bërthamore. Këshilli i Sigurimit u mblodh në një takim urgjent në drekë ditën e sotme. Përpara takimit të sotëm, ambasadori britanik në Kombet e Bashkuara Mark Lyall Grant e quajti “provokim” të Koresë së Veriut. Në Uashington, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë tha se Koreja e Veriut duhet të përballet me “pasojat” për nisjen e raketës. Ai e quajti këtë hap “të mjerueshëm” dhe tha se ky hap shkel rezolutat e Kombeve të Bashkuara.

Ushtria amerikane thotë se Pheniani lëshoi një objekt që duket se arriti në orbitë. Edhe analistë të tjerë arritën në të njëjtin përfundim.

Shtetet e Bashkuara, Koreja e Jugut, Japonia dhe shumë vende të tjera e dënuan provën me raketë balistike të ndaluar në bazë të rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Diplomatët thonë se Këshilli i Sigurimit do të mblidhet sot për të diskutuar çështjen. Koreja e Jugut dhe Japonia po ashtu thirrën takime emergjente të këshillave të tyre të sigurimit.

Koha e lëshimit befasoi shumë vëzhgues dhe diplomatë perëndimorë, sepse sipas njoftiemve të djeshme, Koreja e Veriut po çmontonte raketën për arsye teknike.

David Fouse, me Qendrën e Azi-Paqësorit për Studime Strategjike në Hawaii tha për Zërin e Amerikës se udhëheqja e papërgjegjshme e Phenianit mund të ketë mashtruar qëllimisht komunitetin ndërkombëtar.

“Nuk jam i sigurtë nëse ishte dështim real apo Koreja e Veriut po luante me komunitetin ndërkombëtar. Mund të kenë dashur të gjejnë njerëzit të papërgatitur dhe mendoj se befasuan shumë me kohën e lëshimit.”

Të henën, Koreja e Veriut tha se problemet teknike në një modul të motorit të raketës mund të shtyjnë lëshimin pas një jave. Por sot, Agjencia Qendrore e Lajmeve të Koresë njoftoi me triumf suksesin e misionit, i cili siç tha agjencia, ishte realizimi i porosive të udhëheqësit Kim Jong Il, i cili vdiq dhjetorin e kaluar.

Nëse konfirmohet, vëzhguesit thonë se lëshimi do të përbëjë një hap të rendësishëm përpara në përpjekjet e Koresë së Veriut për të ndërtuar rraketa balistike ndërkontinentale me aftësi për të transportuar armë bërthamore. Po ashtu, do të shtojë kredencialet dhe suksesin e djalit të diktaroit Kim , Kim Jong Un.

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara u zotuan të jenë vigjilentë përballë provokacionit koreano-verior dhe të angazhohen tërësisht për sigurinë e aleatëve amerikanë në rajon.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki-moon e kritikoi Korenë e Veriut për sfidimin, siç u shpreh ai, të thirrjeve të unifikuara dhe të fuqishme të komunitetit ndërkombëtar. Ai tha se ishte e shqetësuar rreth pasojave negative që do të ketë lëshimi i raketës për paqen dhe stabilitetin në rajon.

Në Bruksel, Sekretari i Përgjithëshëm i NATO-s Anders Fogh Rasmussen tha se veprimi Phenianit rrezikon, siç u shpreh ai, destabilizimin e mëtejshëm të gadishullit korean dhe i bëri thirrje Phenianit që të zbatojë detyrimet në bazë të ligjit ndërkombëtar. Po ashtu Bashkimi Evropian kërcënoi me sanksione të reja vendin komunist.

Ndërkohë Kina, aleatja kryesore dhe partnerja më e madhe tregtare e Koresë së Veriut, shprehu keqardhje për lëshimin e raketës.

XS
SM
MD
LG