Lidhje

Norvegji, policia e ul në 76 numrin e të vrarëve


Norvegji, policia e ul në 76 numrin e të vrarëve
Norvegji, policia e ul në 76 numrin e të vrarëve

Në Norvegji, policia e uli në 76 numrin e të vrarëve në incidentet e së premtes së kaluar.

Policia tha se personi i armatosur vrau 68 veta në ishullin Utoeya, ku qindra fëmijë ishin mbledhur në një kamp vere të organizuar nga Partia Laburiste në pushtet. Zyrtarët thanë se shifrat e mëparshme ishin të zmadhuara për shkak të konfuzionit në vendin e ngjarjes. Policia ngriti gjithashtu në 8 numrin e të vrarëve nga shpërthimi i një makine bombë në kompleksin qeveritar të Oslos.

Ndërkohë, i akuzuari për vrasjet e së premtes, 32 vjeçari Anders Behring Breivik u paraqit në gjykatë në Oslo në një seancë me dyer të mbyllura.

Gjyqtari vendosi që seanca të mbahej pa praninë e publikut dhe të medias. Breivik kishte kërkuar që seanca të ishte e hapur për të shpjeguar motivet e tij.

Prokurorët thanë se do të kërkojnë që ai të mbahet në arrest për një periudhë prej tetë javësh, kohë e cila mund të zgjatet para fillimit të gjyqit.

Ai përballet me akuza terrorizmi për shpërthimin në selinë e kryeministrit në Oslo dhe pastaj vrasjen e rinjve në një kamp në ishullin Utoeya.

Avokati i çështjes thotë se klienti i tij i ka pranuar të dy sulmet, por mohon të ketë kryer ndonjë krim. Sipas avokatit, Breivik beson se veprimet e tij ishin "barbare", por të nevojshme për të sjellë një "revolucion" në shoqërinë norvegjeze.

XS
SM
MD
LG