Lidhje

Notarët amerikanë dominojnë në Lojërat Olimpike


Ryan Murphy i Shteteve të Bashkuara dhe Katinka Hosszu e Hungarisë fituan medalje të arta në sportin e notit në shpinë. Gjithashtu, një tjetër notare amerikane, Lilly King, fitoi ndaj notares ruse Yulia Efimova në finalen e 100 metrave. Surpriza pati në gjimnastikë, ku skuadra japoneze fitoi ndaj kampionëve tradicionalë, skuadrës së Kinës.

Ryan Murphy fitoi garën e 100 metrave shpinë duke vazhduar kështu traditën e dominimit të notarëve amerikanë në gjashtë lojëra olimpike që në vitin 1996.

Për herë të parë, vendin e dytë e fitoi një notar kinez, Xu Jiayu, ndërsa vendin e tretë e fitoi po një amerikan, David Plummer.

Koha e Murphy-it, e dyta më e shpejtë në histori, 51.97 sekonda, është shumë pranë rekordit olimpik të arritur në vitin 2009 nga amerikani Aaron Peirsol.

“Adrenalina është aq e lartë sa nuk ndiej fare lodhje, vetëm entuziazëm,” tha fituesi Peirsol.

Amerikania Lilly King mori medaljen e artë për femra, duke ia kaluar ruses Yulia Efimova, e cila nuk u mirëprit nga tifozët e shumtë në Rio de Janeiro. 24-vjeçarja ruse u pezullua dy herë më parë për përdorim dopingu, por fitoi apelimin për të marrë pjesë në garë.

Notarja amerikane fitoi garën me vetëm 0.57 sekonda avatazh ndaj notares ruse.

“Jam tashmë fituese e medaljes së artë, ajo çfarë kam dëshiruar gjithnjë,” tha fituesja King.

Notarja ruse që fitoi të drejtën e marrjes pjesë në këtë garë ishte pezulluar më parë në vitin 2013 dhe në vitin 2015 pasi rezultoi pozitive për steroide DHEA. Edhe gjatë testimeve të këtij viti, ajo rezultoi pozitive për substancën meldonium.

“A do të merrja dot pjesë, apo jo?... Ishte e vështirë për mua të gjendesha këtu,” tha notarja ruse.

Surpriza pati në sporte të tjera. Skuadra e gjimnastëve të Japonisë fitoi ndaj skuadrës kineze, e cila mbante vendin e parë gjatë gjashtë lojërave të fundit olimpike.

Atletja amerikane Ibtihaj Muhammad, e para lojtare olimpike që konkurroi me kokë të mbuluar me shami, u eliminua në ndeshjen e dytë të skermës, pasi kishte fituar ndeshjen e parë. E rritur në një familje myslimane afrikano-amerikane në Nju Xhersi, ajo arriti në vitin 2011 të bëhej atletja e parë myslimane që përfaqësoi Shtetet e Bashkuara.

Në sportin e ri rugby, skuadra e femrave të Australisë fitoi medaljen e artë. Ndërsa në basketboll, ekipet e meshkujve dhe femrave të Shteteve të Bashkuara fituan në ndeshjet ndaj Venezuelës dhe Spanjës.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG