Lidhje

Debati mbi kontrollin e armëve në SHBA


Një betejë e fortët politike po zien në Shtetet e Bashkuara lidhur me reforma në ligjet për armëmbajtje, pas masakrës në Njutaun të shtetit Konektikat. Por përpjekje të tilla pritet të hasin në rezistencë të fortë nga Shoqata Kombëtare e Armëve, NRA, organizata më e fuqishme amerikane që lufton për të drejtën e armëmbajtjes. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Meredith Buel njofton nga Uashingtoni:

Në një tubim para selisë së Shoqatës Kombëtare të Armëve, NRA, pranë Uashingtonit, qindra vetë protestuan kundër kësaj organizatëve që lufton për të drejtën e armëmbajtjes.
Masakra kundër nxënësve të klasës së parë nga një person i pajisur me armë sulmi, ka ringjallur debatin mbi kontrollin e armëve dhe e ka bërë NRA-në objektin kryesor të kritikave. 34 amerikanë vriten çdo ditë nga armë zjarri, një fakt revoltues për kryetarin e bashkisë së Nju Jorkut, Michael Bloomberg:

“Kjo është absurde. Kjo është revoltuese. Po vrasim njëri-tjetrin. Jemi i vetmi vend i industrializuar në botë që e bën një gjë të tillë”.

Por kapitali politik i NRA-së është i jashtëzakonshëm. Kjo organizatë ka katër milionë anëtarë që mbështesin të drejtën e armëmbajtjes si një e drejtë themelore e amerikanëve, e sanksionuar në Amendamentin e Dytë të Kushtetutës. Kathy Kiely është redaktore pranë Fondacionit Sunlight, që nxit transparencën në qeveri dhe mbikqyr kontributet politike të NRA.

“Mendoj se ajo që mban NRA-në të fuqishme dhe që nuk ka lejuar hapjen e debatit për kontrollin e armëve është fakti që kjo është një organizatë që ngjall frikë tek politikanët në Uashington. Kjo për faktin se ata mund të mobilizojnë votuesit dhe kontributet politike, qoftë pro ose kundër një kandidati”.

Anlisti konservator John Fund ofroi opinionin e tij mbi përpjekjet për të forcuar ligjet për kontrollin e armëve:

“Përfundimi është se ligjet nuk funksionojnë. Këto masakra janë shkaktuar nga individë psikopatë ose me probleme të tjera mendore”.

Senatori nga Virxhinia Mark Warner është përkrahës i fortët i të drejtës së armëmbajtjes dhe është përgëzuar nga NRA për pikëpamjet e tij. Por masakra në Konektikat duket se e ka ndikuar:

“Megjithëse kam marrë miratimin e NRA për pikëpamjet e mia, mendoj se çdo gjë ka një kufi. Të gjithë duhet të ulemi dhe të gjejmë zgjidhjet e duhura”.

Zoti Warner është një ndër ato figura politike pro-armëmbajtjes që kanë sinjalizuar se janë të hapur ndaj diskutimit të reformave në ligjet e armëmbajtjes. Në të kaluarën, forca politike e NRA ka dhënë rezultate të dukshme. Mendohet se reagimi hakmarrës i organizatës ndaj ndalimit të armëve të sulmit në vitin 1994 ishte një ndër faktorët që ndihmuan republikanët të sigurojnë fitoren në Kongres. Presidenti amerikan Barak Obama i ka bërë thirrje Kongresit të rivendosë ndalimin e armëve të sulmit:

“E kemi të qartë që akte të tilla dhune kanë pasoja të tmerrshme për shoqërinë tonë. Nëse mund të bëjmë diçka për të parandaluar akte të tilla, e kemi për detyrë ta bëjmë”.

Shoqata Kombëtare e Armëve NRA i ka cilësuar vrasjet si “akte të tmerrshme dhe të pakuptueshme” dhe është shprehur e gatshme për ato që i quan “kontribute kuptimplote” për të garantuar që incidente të tilla nuk do të ndodhin më. Analistja Kathy Kiely thotë se më shumë se gjysma e anëtarëve të Kongresit të ri që fillojnë punën muajin e ardhshëm kanë marrë mbështetje financiare nga NRA-ja:

“Nëse politikanët dëgjojnë komentet e votuesve, do t’u vlejë më shumë se dollarët për fushata. Nëse nuk dëgjojnë votuesit, atëherë politika luhet nga paraja”.

Nuk është ende e qartë nëse masakra e fundit do të sjellë ndryshime të përhershme në mentalitetin e amerikanëve për kontrollin e armëve.
XS
SM
MD
LG