Lidhje

Të dhëna të reja mbi përgjimet e NSA


Në një njoftim të botuar në gazetën Uashington Post, kur Agjencia amerikane e Sigurimit Kombëtar hyri në llogaritë on-line të një numri shtetasish të huaj që ishin vënë në shënjestër në përputhje me ligjin gjatë një periudhe katërvjeçare, ajo grumbulloi edhe bisedat e përdoruesve të zakonshëm të internetit, si amerikanë ashtu edhe të huaj.

Numri i tyre, thotë gazeta, ishte nëntë herë më i madh se i atyre që përgjoheshin në mënyrë të ligjshme.

Gazeta thotë se gati gjysma e dokumenteve të agjencisë për personat e mbikqyrur përmban emrat, adresat e-mail ose të dhëna të tjera, që vetë NSA pohon se u përkasin shtetasve amerikanë ose banorëve të përhershëm të Shteteve të Bashkuara.

Kjo sasi e madhe dokumentesh pergjimi i është dhënë gazetës Uashington Post nga ish analisti amerikan i zbulimit, Edward Snowden, i cili u arratis nga Shtetet e Bashkuara dhe tani jeton në Rusi.

Gazeta thotë se në mesazhet e interceptuara nga Agjencia ka "gjetje me vlerë të konsiderueshme zbulimi", duke përfshirë fakte rreth një projekti të fshehtë bërthamor jashtë vendit, mashtrime nga një vend që hiqej si aleat, dështime ushtarake të një vendi jomiqësor, si dhe indentiteti i personave që kanë ndërhyrë në mënyrë agresive në rrjetet kompjuterike amerikane.

Gazeta thotë se përgjimi prej shumë muajsh i 50 llogarive on-line çoi në kapjen e Muhammed Tahir Shahzadit, personi që merrej me ndërtimin e bombave në Abbotabad të Pakistanit.

Megjithatë, Uashington Posti thotë se shumë nga dokumentet e tjera të përgjimit, të cilësuara si të padobishme nga analistët, u mbajtën nga NSA-ja.

Zyrtarët në Uashington ende nuk kanë komentuar lidhur me shkrimin e gazetës.

XS
SM
MD
LG