Lidhje

Praktikat e NSA-së shkelin kushtetutën


Sipas disa njoftimeve të reja sot nga Washingtoni, një komision i pavarur qeveritar do të publikojë një raport, i cili kërkon që t’i jepet fund Programit të Agjencisë së Sigurimit Kombëtar, NSA, për grumbullimin e tabulateve telefonike të miliona amerikanëve.

Bordi për Liritë Civile dhe Privatësinë, i krijuar nga Kongresi si një agjenci e pavarur, thuhet se ka arritur në përfundimin se praktikat e NSA-së shkelin klauzolat e kushtetutës amerikane, që mbrojnë të drejtën e lirisë së shprehjes dhe ndalojnë çdo “hetim të paarsyeshëm”.

Qeveria amerikane nuk bëri komente të menjëhershme për konkluzionet e bordit, që u publikuan nga gazetat “The New Yor Times” dhe “Washington Post”.

Rekomandimi i bordit mendohet se mund të nxisë një raund të ri debatesh lidhur me çështjet e privatësisë dhe survejimit në Shtetet e Bashkuara, edhe pse presidenti Obama njoftoi javën e kaluar se do të ndiqen procedura të reja për grumbullimin e të dhënave sekrete. Sipas njoftimit në media, bordi ka votuar 3 pro dhe 2 kundër për konkluzionet e raportit të tij të gjatë.

Presidenti Obama tha se ishte konsultuar me Bordin për Liritë Civile dhe Privatësinë, si dhe me një tjetër grup që ai ka ngritur, para se të merrte vendimin për të bërë deklaratën e tij publike javën e kaluar mbi praktikat e NSA-së.
XS
SM
MD
LG