Lidhje

Programi i përgjimeve në SHBA

  • Michael Bowman

Seancë dëgjimore në Komisionin e Senatit për Drejtësinë

Zyrtarët më të lartë amerikanë të zbulimit dhe forcave të rendit thonë se aktivitetet për mbledhjen e të dhënave nuk bien ndesh me privacinë e qytetarëve amerikanë, por ndihmojnë në identifikimin dhe asgjesimin e sulmeve terroriste. Siç na njeh materiali në vazhdim, zyrtarët dëshmuan para Komisionit Juridik të Senatit vetëm pak orë pasi administrata e presidentit Obama publikoi dokumente që japin detaje mbi programet për mbledhjen e informatave telefonike, të ekspozuara nga ish kontraktori amerikan i zbulimit Edward Snowden.

Zbulimi se qeveria amerikane mbledh të dhënat telefonike ka zemëruar shumë amerikanë, sipas Kryetarit të Komisionit Juridik të Senatit, Patrick Leahy.

“Amerikanët po humbasin durimin. Por ajo që është më shqetësuese në një demokraci është se populli amerikan po humbet besimin.”

Të mërkurën, Uashingtoni nxori dokumente më parë sekrete, lidhur me kufizimet federale të përgjimeve telefefonike.


Zëvendës Prokurori i Përgjithshëm, James Cole.

“Tabulatet telefonike të ruajtura nga kompanitë e telekomit tregojnë numrat nga janë bërë telefonatat dhe cili numër është thirrur, datën, orën dhe gjatësinë e bisedës. Të dhënat nuk përfshijnë emra apo informacine të tjera identifikimi. Nuk tregojnë vendndodhjen e telefonit celular, apo informacione të tjera për vendndodhjen dhe nuk përfshijnë bisedën e realizuar.”

Monitorimi i bisedave telefonike kërkon autorizim nga një gjykatë speciale. Por mbledhja e të dhënave ka ndihmuar në luftën kundër terrorizmit, thotë Zëvendës Drejtori i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare John Inglis.

“Janë zbuluar 54 komplote gjatë ekzistencës së këtyre dy programeve”.

Dhoma e Përfaqësuesve votoi kundër një propozimi për të kufizuar mbledhjen e të dhënave telefonike. Të njëjtin qendrim ka mbajtur edhe Senati, megjithëse senatorët kanë shprehur keqardhje mbi mungesën e deklarimit publik. Demokrati Sheldon Whitehouse.

“Kemi shumë informacione që ndihmojnë publikun amerikan të kuptojë programet. Por gjithçka ndodhi papritur, si rezultat i reagimit nga dalja e informacioneve nga Snowden. Nuk ka patur plan të organizuar se si t’i bëjmë të njohura për publikun këto informacione, në mënyrë që amerikanët të marrin pjesë në debat.”


Mbledhja gjerësisht e të dhënave ka efekt negativ tek liria, thotë Jameel Jaffer me Unionin Amerikan për Liritë Civile.

“Njerëzit që e dinë se qeveria po vëzhgon çdo veprim të tyre, telefonatë apo kërkime në internet, do të sillen ndryshe. Ata do të hezitonin para se të vizitonin një faqe interneti të debatueshme. Do të hezitonin të merrnin pjesë në ndonjë organizatë të diskutueshme. Do të hezitonin para se të ushtronin të drejtat që garanton kushtetuta.”

Robert Litt me zyrën e Drejtorit të Zbulimit Kombëtar nuk pajtohet me këtë.

“Mbledhja e këtyre të dhënave telefonike nuk bie ndesh me të drejtat e kushtetuese të askujt.”

Ai tha se zbulimi i programeve ka dëmtuar aftësinë e qeverisë për të mbrojtur vendin.

XS
SM
MD
LG