Lidhje

Viti 2013 me trazira për NSA-në

  • Kent Klein

Presidenti Barack Obama po shqyrton një raport të ri mbi operacionet e Agjencisë së Sigurimit Kombëtar, NSA. Siç vihet në dukje në materialin në vazhdim, vitin e ardhshëm NSA-ja do të ketë një drejtues të ri e ndoshta edhe disa procedura të reja, pas një viti të vështirë, gjatë të cilit u nxorën shumë prej sekreteve, duke shkaktuar kritika në mbarë botën për aktivitetet e saj të survejimit.

Në fillim të këtij viti, 29 vjeçari Edward Snowden ishte një punonjës i panjohur i një kompanie private, e lidhur me Agjencinë e Sigurimit Kombëtar.
Snowden u dha mediave hollësi të një programi amerikan survejimi tepër sekret dhe më në fund kërkoi strehim në Rusi.

“Nuk mund të dalësh kundër agjencive më të fuqishme të botës dhe të jesh plotësisht jashtë çdo rreziku sepse ke të bësh me një kundërshtar aq të fuqishëm sa që askush nuk mund t’u kundërpërgjigjet në një mënyrë kuptimplote”.

Tani ai njihet në gjithë botën, ose si hero, ose si tradhëtar.

John Sano, ish zëvëndës drejtor i shërbimit klandestin të CIA-s, e konsideron atë tradhëtar.

“Nuk e di nëse ai e bëri këtë për të fituar famë apo për të përfituar financiarisht, por ai qartazi shkeli betimin, ai shkeli kushtet e marrëveshjes së punësimit prandaj për mendimin tim dhe shumë të tjerëve, punonjës aktualë ose ish punonjës të komunitetit të zbulimit, ai është tradhëtar”.

Nxjerrja e informacioneve nga Edward Snowden shkaktoi dëme të mëdha, thotë Michelle Van Cleave, ish punonjëse me peshë në sektorin e kundër-zbulimit kombëtar amerikan.

“Unë isha përgjegjëse për vlerësimin e dëmeve që iu bënë çështjeve të ndryshme të sigurimit kombëtar dhe të spiunazhit. Mund t’ju them se nuk dija nga t’ia filloja për të vlerësuar dëmet e shkaktuara nga Snowden, jo vetëm për aftësitë e zbulimit të Shteteve të Bashkuara, por edhe të miqve dhe aleatëve tanë në mbarë botën”.

Disa prej këtyre aleatëve kundërshtuan grumbullimin e të dhënave elektronike nga NSA-ja mbi qytetarët dhe udhëheqësit e tyre.

Edhe disa amerikanë kundërshtuan. Kirk Wiebe ka qënë analist me peshë për NSA-në, madje ka folur hapur kundër operacioneve të caktuara të zbulimit. Ai thotë se grumbullimi i të dhënave shkel të drejtën kushtetuese të privacisë prandaj ai e konsideron Edward Snowden si hero për ekspozimin e operacioneve të tilla.

“Mendoj se ai radhitet mes njerzve më të famshëm në historinë tonë kur bëhet fjalë për ndriçimin e aktiviteteve të dëmshme, që kërcënojnë mënyrën tonë të qeverisjes dhe të jetesës”.

Ndërkohë, Presidenti Obama po shqyrton rekomandime të ndryshme si vazhdimin e grumbullimit të të dhënave të NSA-së, por me më shumë mbrojtje të informacioneve private.

Shumica e këtyre rekomandimeve do të zbatohen nga pasardhësi i gjeneralit të ushtrisë, Keith Alexander, i cili së shpejti do të largohet nga posti i drejtorit të NSA-së dhe shefit të Komandës Kibernetike të ushtrisë.

Shumë ekspertë janë të një mendimi se drejtori i ardhshëm i NSA-së duhet të ketë njohuri rreth teknologjisë së zbulimit, të fitojë besimin e Kongresit si edhe të jetë i aftë të ngrejë moralin e punonjësve, pas një viti të vështirë për ta.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG