Lidhje

Analistët: Vendimi për NSA nuk do të ketë ndikim të thellë në SHBA


Programi amerikan i përgjimit dhe ish punonjësi me kontratë që bëri publike hollësi rreth tij, janë rikthyer përsëri në qendër të vëmendjes, pasi një gjykatë amerikane vendosi se mbledhja sekrete e tabulateve telefonike të shtetasve amerikanë duket se bie ndesh me kushtetutën. Disa ekspertë thonë se vendimi, i cili nuk është përfundimtar, mund të mos çojë në ndryshime radikale të praktikave të përdorura.
Megjithëse pritet që qeveria të apelojë vendimin e gjykatës, shumë amerikanë e mirëpritën atë, mes tyre shumë i kërkuari dhe ish kontraktori Edward Snowden i cili bëri publike praktikat e agjencisë së përgjimit pasi vodhi siç thuhet, mbi 1.7 milion dokumente nga Agjencia e Sigurisë Kombëtare. Në një mesazh nga Rusia, ku ndodhet me azil të përkohëshëm, Snowden tha se vendimi i gjykatës justifikon veprimtarinë e tij.

Profesori për ligjin Stephen Vladack me Universiretin Amerikan në Uashington thotë se vendimi nuk ka ndikim të menjëhershëm.

“Ka shumë pak domethënie në termin afat shkurtër, sepse gjykatësi e pezulloi çështjen, çka nënkupton që nuk ka efekt të menjëhershëm. Qeveria do të jetë në gjendje të bëj nesër atë që bëri para vendimit të gjykatësit Richard Leon.”

Profesori thotë se vendimi ka rëndësi simbolike, sepse është hera e parë që një gjykatës federal arrin në përfundimin se qeveria jo vetëm po tejkalon autoritetin, por gjithashtu po shkel kushtetutën kur mbledh fshehurazi tabulatet telefonike në shkallë masive. Ai thotë se shumë çështje gjyqësore kanë dalë nga zbulimi i dokumenteve të Snowdenit dhe çështja pritet të shkojë deri në Gjykatën e Lartë.

“Zbulimet e Snowdenit fillimisht u përqendruan në dy programe të ndryshme. I pari ishte programi i të dhënave telefonike të grumbulluara nga qeveria. Dhe së dyti, ndoshta më i rëndësishmi në arenën ndërkombëtare, është programi Prism ku qeveria po mbledh të dhëna direkte të komunikimeve në internet drejtpërdrejt nga serverat jashtë Shteteve të Bashkuara.”

Profesori Vladack thotë se vetëm Kongresi mund t’i ndalojë këto çështje duke vendosur nëse do të ofrojë ligje më të forta për survejimin e tabulateve telefonike apo kufizimin e tyre para se ta bëjë gjykata. Deri tani, ligjvënësit nuk kanë treguar interes për këtë, por profesori thotë se nxjerrja e informacioneve nga Snowdeni mund ta ndryshojë këtë.

Presidenti Obama e ka mbrojtur programin kur është ballafaquar me udhëheqësit e huaj.

“Të paktën 50 kërcënime janë menjanuar si rezultat i këtij informacioni.”

Dje, presidenti Obama u përpoq të ulë shqetësimet për programet e survejimit gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë me udhëheqës nga kompanitë kryesore të teknologjisë. Nuk është e qartë nëse vendimi i gjykatës u diskutua gjatë takimit.
XS
SM
MD
LG