Lidhje

Debate mbi reformat në zbulimin amerikan

  • Michael Bowman

Reformat e zbulimit që do të njoftohen nga Presidenti Barack Obama nesër, do të jenë të mbështetura të paktën pjesërisht tek puna e një komisioni studiuesish të së drejtës dhe ekspertësh të përgjimit që i kanë paraqitur rekomandime Shtëpisë së Bardhë për reformim të thellë të Agjencisë për Sigurinë Kombëtare, NSA.
Fjalimi i Presidentit Obama parashikohet të jetë përgjigjia e tij më e detajuar ndaj informacioneve për përgjimet amerikane që bëri publike kontraktori i NSA-së, Edward Snowden.
Zoti Obama do të flasë për shqetësimet në rritje për privacinë dhe ka gjasa t’i kërkojë kongresit që të ndihmojë për të vendosur për çështje delikate që vënë liritë civile përballë sigurisë kombëtare.
Këto çështje u shtruan para dy ditësh në një seancë të Komisionit Juridik të Senatit nga anëtarë të Grupit të Presidentit për Analizën e Zbulimit.
Studiuesi i së Drejtës, Cass Sunstein tha se rekomandimet e grupit nuk do të vënë në rrezik sigurinë kombëtare.
“Ne jemi përqendruar kryesisht tek ruajtja e aftësisë së komunitetit të zbulimit për të kryer detyrat e veta. Dhe dua të theksoj se asnjë nga 46 rekomandimet në raportin tonë, në këndvështrimin tonë nuk ka komprometuar apo rrezikuar në asnjë mënyrë këtë aftësi”.
Grupi i studiuesve ka nxjerrë një raport ku sugjerohet ruajtja private e të dhënave të mbledhura në masë nga NSA dhe shtimin e masave mbrojtëse për qytetarët amerikane dhe të vendeve të tjera.
Një tjetër rekomandim ishte që avokatët e privacisë të luajnë një rol në gjykatat sekrete që autorizojnë përgjime si edhe përmirësimin e mbikqyrjes së programeve të NSA-së, veçanërisht operacionet e përgjimit të udhëheqësve të huaj.
Senatori demokrat Patrick Leahy, thotë se reformat janë të nevojshme.
“Në qendër të debatit është marrëdhënia themelore e amerikanëve me qeverinë e tyre. Qeveria ekziston për amerikanët dhe jo e kundërta”.
Por reformat e zbulimit nuk duhet t’i kthejnë agjencitë federale tek mentaliteti i para 11 shtatorit 2001, thotë senatori republikan Chuck Grassley.
“Disa nga rekomandimet e raportit duket se e bëjnë më të vështirë hetimin e një terroristi se sa atë të një krimineli ordiner. Disa duket se u japin të njëjtat të drejta të huajve, si edhe amerikanëve pa ndonjë arsye të fortë dhe disa duket se ringrenë murin që ekzistonte para 11 shtatorit mes komuniteteve të rendit dhe sigurisë kombëtare”.
Ish-Drejtori i Zbulimit Kombëtar John Negroponte parashtron sfidën me të cilën përballet Presidenti Obama:
“Si mund të përmirësosh çështje si privacia dhe qëndrimi ndaj miqve dhe aleatëve, pa paragjykuar apo dëmtuar efektivitetin e përpjekjeve për grumbullimin e informacioneve të zbulimit? Është një ekulibër që po analizohet tani, ashtu si edhe në të kaluarën dhe jam i sigurt edhe në të ardhmen. Është një situatë dinamike”.
Por grupi i studiuesve paralajmëroi në raport se gjetja e një ekuilibri mes lirive dhe sigurisë mund të mos jetë e mundur, duke thënë se “disa masa nuk janë aspak të hapura për balancim”.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG